Masat e sigurisë për samitin e 6 dhjetorit janë vendosur nga organizatorët dhe jo nga qeveria shqiptare. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se Shqipëria është vetëm mbështetëse e samitit, por ajo organizohet nga Këshilli i Europës. Sipas Ramës, ky aktivitet është më i rëndësishmi në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit tonë.
Sa i përket protestës së paralajmëruar të opozitës dhe refuzimit të policisë që ajo të zhvillohet para Kryeministrisë, Rama tha se “ky nuk është vendim i qeverisë shqiptare”. Ai tha se “historitë e 1912 që vazhdojnë dhe tirren” janë gjëra që nuk i shmangim dot, por theksoi se askush nuk mund të marrë dot peng as Shqipërinë dhe as samitin.
Për t’u rikthyer tek 6 Dhjetori, ju thatë janë masat e sigurisë të e sigurisë të vendosura nga Brukseli.
Edi Rama: Janë masa sigurie të bazuara në kritere dhe në standarde që do t’i garantojë çdo vend që do të marrë përsipër të mikpresë një samit të këtyre përmasave. Këto janë të bazuara kërkesat që kanë ata që vijnë këtu dhe organizojnë samitin. Këtë samit e organizon Këshilli Europian, nuk e organizon Shqipëria. Shqipëria është mbështetëse dhe është mikpritëse e këtij samiti.
Nga ana tjetër opozita është e vendosur që protestën ta zhvillojë përpara godinës së qeverisë, në rast se asnjëra nga palët nuk do të tërhiqen si do të shkojë?
Edi Rama: Këtu nuk ka palë që tërhiqen ose jo. Këtu ka një aktivitet që është aktiviteti më i rëndësishmi në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë apo të Shqipërisë para se të bëhej republikë. Nuk ka ndodhur kurrë që në Shqipëri të zbresë i gjithë kontinenti me shprehje të qartë respekti për Shqipërinë dhe në mbështetje të asaj linje tanimë të kristalizuar që e sheh Shqipërinë si një faktor kyç në rajon dhe për shkak të rajonit në funksion të Europës. Këto pastaj historitë e 1912-ës që vazhdojnë dhe tirren janë çështje që për fat të keq nuk i shmangim dot. Por nga ana tjetër nuk mund ta marrin dot peng as Shqipërinë dhe aq më pak një samit të këtyre përmasave. Kjo nuk është çështje palësh tërhiqen ose jo. Ky nuk është vendim i qeverisë shqiptare. Këtu hyjnë në fushë siguria e samitit dhe garantimi i të gjitha masave të kërkuara të sigurisë për të gjithë liderët dhe delegacionet e mbarë Europës. Çfarë lidhje ka kjo këtu me Mujin dhe Halilin? Unë nuk shoh lidhje.