Për shkak të protestës që do të zhvillohet ditën e nesërme nga opozita te Bashkia e Tiranës, disa rrugë do të bllokohen.
Policia njofton se duke nisur nga ora 09:30 e deri në përfundim të protestës, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
“Në kuadër të një tubimi që do të zhvillohet ditën e nesërme, në orën 11:00, përpara Bashkisë Tiranë, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.
Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga nesër, prej orës 09:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”, njofton policia.
Opozita proteston për skandalin 5D, ku kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, sipas së cilës, është përgjegjësi kryesor i kësaj afere korruptive.