Partia Demokratike tashmë prej 5 ditësh ndodhet në protestë. Lidhur me këto protesta të organizuara nga opozita ku sipas saj kërkon zgjedhje të lidhe dhe të ndershme dhe krijim i një qeveria teknika kanë reaguar edhe ndërkombëtarët.
Me anë të një statusi në llogarinë e tij ‘Twitter’, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn ka reaguar për situatën politike në vend, protestën dhe bojkotin e Kuvendit nga ana e opozitës.
Hahn shprehet se debati politik duhet të zhvillohet brenda Parlamentit, ndërsa bashkëpunimi qeveri-opozitë është thelbësor për anëtarësimin e vendit në BE.
“Më vjen keq për bojkotin parlamentar të shpallur nga opozita. Debati politik nuk duhet të bëhet jashtë, por brenda Parlamentit. Bashkëpunimi me qeverisë dhe opozitës është vendimtar për synimet e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Është veçanërisht e një rëndësie të madhe që jeta parlamentare të vijojë në një kohë kur reforma thelbësore janë në axhendën e parlamentit, siç është ngritja e institucioneve të vettingut në kuadër të reformës në drejtësi, përfshirë edhe rekomandimet e misionit të OSBE/ODIHR të cilat janë thelbësore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme këtë vit. Këto reforma janë të rëndësishme për Shqipërinë që të vijojë rrugën e saj të integrimit në BE”, deklaroi Hahn.
Ndërsa një lëvizje pritet të bëhet nga Brukseli ku thuhet se në muajin mars përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini do të vizitojë Shqipërinë.
Zyrtarja evropiane do të nisë një tur vizitash në Ballkanin Perëndimor, ku në axhendë është edhe Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e BE në Tiranë, e cila tha se Mogherini do të vizitojë Ballkanin Perëndimor nga data 1-4 Mars. Pjesë e vizitës janë dhe Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.