Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot për protestën e pedagogëve.
Ai u shpreh se kjo është një protestë legjitime, ndërsa pagat e tyre i krahasoi me ato në Universitetin e Prishtinës, për të cilat tha se janë dy herë më të larta se ato të Tiranës.
“Universitetet ishin në grevë. Unë përshëndes të gjithë ata pedagogë dhe mbështetësit e tyre për të nisur një grevë për realizimin e kërkesave të ligjshme të sindikatës së universiteteve.
Pas qëndrimit cinik, arrogant, të papërgjegjshëm të qeverisë, sindikata vendosi të thërrasë për bojkot të mësimeve në universitetet e vendit. Ky është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili synon të parandalojë shuarjen e universiteteve tona. Pedagogët nuk po kërkojnë asgjë tjetër veçse atë që sot gëzojnë kolegët e tyre në Universitetin e Prishtinës, ku pagat janë afërsisht dy herë më të larta se në Universitetin e Tiranës”.
Në fund, Berisha i bëri thirrje qeverisë që të plotësojë menjëherë kërkesat e sindikatës.