Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në përurimin e shkollës së re “Klodian Tanushi”. Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij është ndalur edhe tek protesta e pedagogëve dhe ultimatumi i tyre për rritje pagash, ose do të nisin grevën e urisë. Rama u shpreh se grevë urie për rroga bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe. Sipas tij, pedagogët që kanë dalë në protestë janë vetëm një pakicë dhe shtoi se drejtohen nga “një SHIK-s”.
Më tej, kreu i qeverisë shtoi se ata “i shërbejnë atyre që u shërbejnë rublave ruse dhe jo atdheut”.
“Thënë këto meqë e preku Erjoni, është e paimagjinueshme dhe duhet ta përforcojmë mesazhin e Erjonit sepse jemi këtu për të kremtuar një dëshmor, për të kremtuar një mesazh kuptimplotë të dikujt që jetën dha për atdheun, ndërkohë që sot në këto kushte të vështira, jo profesorët dhe pedagogët e universiteteve, por një çetë brenda trupës që është më e madhe sesa aq, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si, i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve del me ultimatumin se nëse nuk i rriten rrogat dhe më shumë seç iu rritën do hyjnë në grevë urie. Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa fe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa din, njerëzit pa iman. Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre, të cilët me siguri, shumica dërrmuese i kanë të ardhurat më pak se sa SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës, por nuk bëjnë grevë urie. Greva e urisë është një institucion shumë i lartë përmes së cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroge. Aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët e universitetit. Nuk i është rritur rroga 15% mësueseve që janë këtu bashkë me këta fëmijë, edhe pse kanë punë më të vështirë se shumë ndër ata të cilët mbajnë emrin e pedagogu dhe kanë edhe paturpësinë të dalin në media dhe të thonë, nuk ia vlen të jesh pedagog në Shqipëri. Si mundet një misionar i arsimimit të gjeneratës së re të deklarohet publikisht se nuk ia vlen. Natyrisht që përfitojnë nga një autonomi e kuptuar si papërgjegjshmëri. Normalisht dikush që thotë nuk ia vlen të jesh pedagog, nuk mund të jetë më pedagog, por është autonomia, nuk është e drejta dhe mundësia jonë që t’i tregojmë vendin këtyre lloj personazheve që çedukojnë rininë tonë. Ashtu sikundër edhe njëherë e përsëris shumica e pedagogëve nuk janë këta dhe nuk ka sesi të jenë këta, sepse nëse do ishin shumica këta do ishim në një alarm shumë më të madh se sa inflacioni i luftës, në një alarm shumë më të madh sesa kriza globale e çmimit të energjisë, por fatmirësisht nuk janë këta shumica. Më vjen keq që u detyrova të flas për këtë, por më vjen shumë mirë që këtë mundësi na e jep shembulli i një djali, i cili pagën e kishte më të ulët sesa SHIK-si që do të futet në grevë urie për t’i shërbyer atyre që u shërbejnë rublave ruse dhe jo atdheut, por dha jetën”, u shpreh Rama.