Në aktivitetin e përjavshëm për bashkëqeverisjen, kryeministri Rama i është rikthyer çështjes së protestës së studentëve, duke sqaruar se ka dhënë shpjegimet e duhura jo vetëm në konferenca për shtyp, por edhe përmes mesazheve telefonike.
“Pata një përmbytje telefoni nga kërkesat dhe nevojat për shpjegime për studentëve dhe megjithëse kemi çuar në fakultete njerëz të ministrisë së Financave dhe Arsimit, ato nuk kanë të ndalur”, tha Rama.
Ai shtoi se që nga dita e sotme do të çelet “një rrugë te platforma ‘Shqiperiaqeduam.al’, në mënyrë që çdo student apo prind që ka pyetje për vendimet e qeverisë, sidomos për trajtimet financiare, të mund ti drejtohet platformës ‘Shqiperiaqeduam.al’, ku do të gjendet rubrika e posaçme “Jam student, kam një pyetje”.
Rama bëri me dije se një grup është organizuar në kohë reale që të japë përgjigje.
“Ministria e Arsimit në ‘Facebook’-un e vetë do të çelë një dritare për t’u përgjigjur në kohë reale, të gjithë shqetësimeve të studentëve lidhur me tarifat, por edhe shqetësimet e tjera, – u shpreh kreu i qeverisë. – Drejtimi te platforma nuk është hedhja e topit jashtë fushe dhe as arrogancë, por mënyra e duhur për të gjetur zgjidhje për problemet”.