Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar 59 persona për protestën e ditës së djeshme, ndërkohë që ka proceduar penalisht 116 të tjerë, me akuzën e ushtrimit të dhunës dhe plagosjes së punonjësit të Policisë, si dhe shkatërrimin e pronës publike e private. Policia njofton se janë plagosur rëndë pesë efektivë.
Sipas njoftimit, “si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 5 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugët e lartpërmendura, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale”.
“Policia e Shtetit, nisur edhe nga fakti i pjesëmarrjes së të miturve në protestë është munduar të parandalojë përshkallëzimin e tubimit duke iu bërë thirrje të pandërprerë protestuesve që të shpërndaheshin pasi tubimi i i paligjshëm dhe veprimet e tyre ishin në kundërshtim të plotë më ligjin, por mbi të gjitha përdorimi i dhunës po rrezikonte jetën e punonjësve të policisë, të të miturve në tubim dhe të qytetarëve të tjerë. Shërbimet e Policisë kanë përdorur të gjitha mjetet e ligjshme për të neutralizuar personat e dhunshëm të cilët bënin thirrje për grumbullime dhe nxisin turmat për të dhunuar punonjësit e Policisë. Strukturat operacionale kanë bërë të mundur filmimin e personave të dhunshëm të cilët plagosën punonjësit e Policisë dhe shkatërruan pronën publike e private dhe në bazë të filmimeve kanë bërë shoqërimin e tyre. Më pas, në përfundim të veprimeve procedurale është bërë arrestimi në flagrancë i 59 shtetasve, si dhe u proceduan penalisht 116 të tjerë, për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike”. Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjetër të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.