Ndërsa në sheshin “Skënderbej” është duke u mbajtur protesta e radhës për rritjen e çmimeve, kryeministri Rama ka udhëtuar në Katund të Ri, në Durrës, ku ka zhvilluar një takim me fermerët e zonës.
Rama u shpreh se bujqësia sot nuk ka asnjë krahasim me atë që ishte para 7-8 vjetësh. Kryeministri u bëri thirrje fermerëve që të bashkohen për të rritur fitimet.
“Patjetër që bujqësia ka problemet e veta. Patjetër që për fermerët nuk është e thjeshtë. Kemi të hapur sfidën e mentalitetit, e cila na shumë zona na pengon të shkojmë përpara. E mentalitetit të qenit të ndarë, e secili për vete, në bujqësi është e pamundur të shkohet larg duke menduar secili për vete. Duhet një bashkim me vullnet të lirë, ku secili ka tokën e tij, por të gjithë së bashku koordinojnë forcat se çfarë do të mbjellin dhe shesin së bashku”, tha Rama.
Rama u shpreh se qeveria është duke bërë atë që nuk po e bën asnjë shtet tjetër sa i përket çmimit të energjisë.
“Ne po bëjmë atë që asnjë vend s’e ka bërë akoma. Pashë që Franca ka bërë një kompensim, por jo të plotë. Ne po bëjmë kompensimin e plotë të faturës së energjisë. Ne sot jemi në mars dhe të gjitha problemet i kemi përpara. Kjo do të thotë se do të shkundim të gjithë buxhetin e shtetit që të mos vijë te ju. Jam dakord që janë rritur kostot, por kjo ka ardhur si pasojë e krizës së përgjithshme”.
Ndërkohë, ai theksoi se kriza është duke prekur rëndë sektorin e ndërtimit, për të cilin Rama tha se tashmë ka ndaluar. “Kanë ndaluar ndërtimet sepse hekuri është rritur 3-fish sepse kontrata tona me ndërtuesit për Llogaranë, janë me çmimin e hekurit 3 herë më pak. Për të vazhduar, ata na thonë se nuk mund të vazhdojmë të zbatojmë kontratën sepse falimentojmë. Çfarë duhet të bëjmë ne? Të shtojmë financat apo të presim?”, tha Rama.