Kryesore Protesta që duhej të ishte, por që nuk qe…

Protesta që duhej të ishte, por që nuk qe…

Nga Skënder Minxhozi

Sonte Edi Rama është sërish kryeministër i Shqipërisë. Opozita dështoi pas pesë orësh proteste, në provën më serioze të viteve të fundit, për të rrëzuar kryeministrin. Megjithëse kishin deklaruar në mënyrë të përsëritur se protesta do ta mbante të bllokuar kryeministrinë derisa Rama të ikte, Basha, Kryemadhi dhe Berisha u detyruan të bëjnë një “prapakthehu” të fortë nga premtimi i tyre, duke e bërë faktikisht që të dështojë një protestë, e cila në fakt kishte pjesëmarrje masive.

Pak ditë më parë shkruanim se sfida kryesore e protestës nuk ishte data 16 shkurt, por dita pas saj, data 17 shkurt. Dhe 16 shkurti, duhet thënë, nëse shihet thjesht si një manifestim proteste i popullit opozitar, nuk është një dështim. Ajo që e klasifikon si të tillë protestën është ajo çka pasoi pas pesë orësh konfrontimi me policinë. Është mosarritja e qartë e objektivave politike të protestës, është premtimi i pambajtur për të provokuar largimin e kryeministrit dhe zgjedhjen e një qeveria teknike. Eshtë fakti që në 17 shkurt Shqipëria do të gdhihet me të njëjtën qeveri dhe sheshin para saj të boshatisur.

Protesta duhej të rrethonte kryeministrinë, por si e tillë kjo gjë u realizua vetëm në fotot e trukuara që qarkulluan në rrjetin social. Protesta premtoi të qëndrojë e palëvizshme para zyrave të Ramës, për të penguar hyrjen e tij në godinë, por edhe kjo dështoi në mënyrë flagrante. Pas kthimit nga Vlora, Edi Rama ka luksin të hyjë i qetë në zyrën e tij, kurse opozita mund të shohë edhe një herë me pezmatim sesi dështoi në ndërmarrjen e saj njëmujore për të bindur përkrahësit që të vijnë nga të katër anët e vendit “për të shporrur Edi Ramën”!

Si e tillë, protesta është edhe një provë tjetër serioze se mes retorikës së opozitës dhe pozitave të saj elektorale, përkrahjes reale që ka në popull, ka sot një hendek që vjen e thellohet. Është kjo mospërputhje që i bën liderët e opozitës rregullisht, që të shkojnë pak më larg me kërcënime e deklarata, sesa ç’janë realisht mundësitë konkrete që kanë për të destabilizuar qeverinë aktuale.

Nga ana tjetër, një notë e lartë vlerësimi i duhet dhënë sot policisë shqiptare dhe ministrit Lleshaj, të cilët bënë të mundur kontrollin ligjor të një eventi shumë delikat, duke kursyer jetët dhe shëndetin e të gjithëve.

Protesta e 16 shkurtit shënon një rënie të zhurmshme të projektit për të afishuar një alternativë të re qeverisëse në Shqipëri. Shumica aktuale ka një mal me probleme, skandale dhe gabime në mënyrën sesi qeveris. Edi Rama po provokon rrezikshëm me sjelljen e tij, jo vetëm kundërshtarin politik, por edhe shqiptarin e thjeshtë, që do më shumë vende pune, investime dhe mirëqenie, në vend të batutave të pafundme, oratorisë sfiduese dhe hazërxhevapit të kryeministrit. Megjithatë u duk edhe sot, se Edi Rama ka ende një bonus të vogël për ta vijuar këtë sfidë absurde me të gjithë ata që i dalin përpara, për shkak të dobësisë së kundërshtarit.

Opozita nuk e mendoi datën 17 shkurt dhe kjo e ndëshkoi. Ajo që do të vijojë ka pak rëndësi për të ardhmen e afërt. Po hyjmë në korsinë e zgjedhjeve lokale, e siç dihet, topat e fushatës bëjnë që të mos dëgjohet asnjë pushkë që shkrepet rrugës. Palët nuk e kanë mbaruar përballjen e tyre, por sot një ndeshje me rëndësi, u humb qartë dhe hapur nga opozita.