Kryesore Protestat e studentëve, Rama: Bojkoti i Universitetit mund të shtyjë mësimin në...

Protestat e studentëve, Rama: Bojkoti i Universitetit mund të shtyjë mësimin në verë

Kryeministri Edi Rama thotë se deri në orën 03:00 të mëngjesit i kanë dërguar SMS në Whatsapp studentë të ndryshëm që kërkonin informacion për plotësimin e kërkesave të tyre.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se mesazhet ishin të ndryshme.

Mes tyre kishte edhe nga ato ku shkruhej se nuk ka dalë asnjë VKM, por kryeministri sqaron se kjo është e pavërtetë.

Kreu i qeverisë ka akuzuar edhe një grup personash, të cilët i quan “pengmarrësit e universitetit”, për të cilët thotë se nuk lejojnë shumicën e studentëve që të shkojnë në auditore.

Bojkoti i universitetit, mund të zgjasë mësimin deri në verë, thotë Kryeministri Edi Rama.

“Deri në 3 të mëngjesit mbrëmë me qindra studentë që më mësynë Whatsapin. Mesazhe lloj-lloj, nga më vulgaret tek më prekëset dhe edhe jo pak për të qeshur me zë. Shumë thoshin s’kanë dalë VKM në Fletore Zyrtare. Por mjafton një klik http://qbz.gov.al  dy sy për të parë.

E dyta që përsërisnin shumë prej tyre, mesa duket me porosi nga nondaja, ishte fjalia kur do plotësosh kërkesat! Kërkesat do plotësohen sipas afateve të publikuara dhe sipas zotimit brenda janarit do publikohet edhe Pakti për Universitetin, që shkon shumë përtej kërkesave.

Dhe e fundit për sa më ra më shumë në sy në atë dialog të pazakonshëm me lloj-lloj profilesh  e pa asnjë lloj dorashke, siç më pëlqen mua, ishin ankesat e pafundme për pengmarrësit që nuk lënë shumicën të bëjë mësim. Kjo është e papranueshme e mund ta shtyjë mësimin në verë”, shkruan Rama.

Pasi u rikthyen nga pushimet e fundvitit, studentët iu rikthyen në protesta më datë 7 janar duke bojkotuar mësimin.