Presidenti Ilir Meta e quan zhvillim të padëshiruar përshkallëzimin e protestave apo i politikave ndarëse, dhe bën thirrje për reflektim dhe qasje tjetër.
Në një intervistë dhënë dje për “Deutsche Welle”, Meta vlerëson se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë
Kreu i shtetit, ndodhej në Berlin ku pati dhe një takim me Presidentin e Gjermanisë, zotin Steinmeier.
Zoti President, para pak ditësh kishte një protestë masive në Shqipëri. Po protestohet për të rrëzuar qeverinë “Rama”. Cili është vlerësimi juaj për situatën politike në vend?
Përshkallëzimi i protestave apo i politikave ndarëse, akoma më keq konfrontuese, sidomos jashtë institucioneve, është një zhvillim i padëshiruar, ndërkohë që mbeten pak muaj që vendet anëtare të Bashkimit Europian të shprehen edhe një herë për mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim të vendit.
Kështu që është momenti për të reflektuar të gjitha palët, për të pasur një qasje tjetër jashtë konfrontimeve të padëshiruara.
Përkundër këtyre që thatë duket se ka një acarim apo përkeqësim të situatës që vjen nga vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet e deputetëve. A mund të na thoni cili është qëndrimi juaj për këtë krizë institucionale?
Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht as integrimit europian të vendit, që është dëshira e çdo qytetari shqiptar. Dhe me këtë është e lidhur edhe shpresa për të mos e shpopulluar më tej vendin tonë, sidomos nga të rinjtë dhe forcat më krijuese të tij.
Është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por mendoj që është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri, të cilët duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre.
Është detyra e tyre të japin shembullin të parët në respektimin e Kushtetutës dhe të kufijve që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka përcaktuar qeverisë.
Të respektojnë institucionet e pavarura, të mos ndikojnë te krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë.
Të japin shembullin të parët për luftën kundër korrupsionit dhe për shumë çështje që kanë tronditur opinionin publik, pasi në fund fare asnjë justifikim nuk do të jetë i vlefshëm dhe i dobishëm për askënd në rast se vendi do ta humbasë këtë mundësi.
Mundësitë, sidomos pas arritjes të marrëveshjes historike midis Maqedonisë dhe Greqisë, janë mjaft të konsiderueshme. Ndaj duke përfituar dhe nga ky sukses i Maqedonisë të japim një mesazh pozitiv dhe një mundësi Bashkimit Europian, që të japë një sinjal të fortë shprese dhe inkurajimi për procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor në qershor.
Opozita ka paralajmëruar se të enjten do të ketë një tjetër protestë. Cili është mesazhi juaj në lidhje me këtë protestë?
Është e rëndësishme që çdo protestë të jetë paqësore dhe ata të cilët i organizojnë të marrin të gjitha përgjegjësitë e tyre, ashtu sikurse është e turpshme që protestat të provokohen për çdo lloj arsye.
Në Shqipëri ka një pakënaqësi, ka një zemërim dhe është koha, jo për ta instrumentalizuar këtë pakënaqësi dhe zemërim nga çdo palë, por për ta lexuar dhe për të reflektuar gjithkush me përgjegjësi se si kjo të kthehet në një energji pozitive për zhvillimin e vendit.