Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka premtuar ndëshkim ligjor për protestuesit që hynë me dhunë të shtunën në mbrëmje në ambientet e televizionit publik, “RTS”.
Vuçiç i cilësoi qytetarët e përfshirë në incident një bandë fashistësh dhe huliganësh, që sipas tij, veprojnë edhe me urdhra të Prishtinës, dhe përkatësisht të kryeministrit Ramush Haradinaj, për ta hequr nga pushteti.
Vuçiç: Kur Haradinaj tha se do të më rrëzojë nga qeveria, mendova se po bën numra. Tani e shoh se ai ka bashkëpunëtorët e tij këtu mes nesh, ca fashistë të vegjël që mendojnë se me dhunë mund të arrijnë diçka. Liderët fashistë, huliganë dhe hajdutë të opozitës nuk mund ta caktojnë fatin e vendit me 1 mijë mbështetësit e tyre. Serbia është një vend demokratik, dhe do i lutesha qytetarëve të mos bëhen pjesë e dhunës, sepse të gjithë do të përgjigjen para ligjit.
Në kohën kur Vuçiç mbante konferencën e tij për shtyp, jashtë ambienteve të godinës presidenciale ishin mbledhur aktivistë dhe kryetarë të koalicionit opozitar.
Ata kërkuan dorëheqjen e Presidentit njësoj si natën e shkuar, kur mësynë në korridoret e televizionit, por ndaj turmës antiqeveritare këtë radhë policia përdori gaz lotsjellës kur protestuesit nisën bashkohen me duar për të formuar një zinxhir përqark ndërtesës.
Protestat në Serbi që vijojnë prej të paktën tre muajsh u përshkallëzuan ditën e shtunë, kur dhjetëra demonstrues u shkëputën nga turma përpara televizionit publik duke hyrë në selinë e tij.
Qëllimi i protestuesve ishte transmetimi direkt i një letre me ankesa, por kjo nismë dështoi me ndërhyrjen edhe të forcave të policisë.
Media publike është denoncuar nga opozita politike si një organ propagandues në dorën e presidentit Vuçiç dhe të partisë së tij progresiste serbe, ndërsa vetë Vuçiç akuzohet si dhunues dhe shtypës i opozitës nëpërmjet aparatit shtetëror të ngritur në mënyrë autokratike.