Lideri i opozitës në Gjeorgji u tërhoq zvarrë nga zyrat e partisë së tij ndërsa disa persona të tjerë u dhunuan fizikisht nga policia, pasi kryeministri i vendit u betua se organizuesit e protestave pro-europiane do të përballen me drejtësinë.
48-vjeçari Niko Gvaramia është udhëheqësi i një prej katër grupeve opozitare. Siç duket nga videoja e publikuar në të gjitha mediat ndërkombëtare, ai tërhiqet zvarrë ndërsa më pas mbahet nga duart dhe këmbët derisa futet në makinën e policisë.
Arrestimi i tij i dhunshëm ndodhi në zyrat e partisë, që ndodhet në një rrugë ngjitur me parlamentin e vendit në Tbilisi. Pas kësaj ngjarje liderët e tjerë të opozitës u takuan në një hotel në kryeqytetin e Tbilisit dhe vendosën që të rrisnin bashkëpunimin dhe të shtynin për një grevë të përgjithshme në publik.
“Është një fushatë terrori kundër fjalës së lirë, lirisë së mendimin dhe kundër demokracisë”, tha Levan Tsutskiridze, i partisë Gjeorgjia e Fortë. Një drejtues tjetër i Koalicionit për Ndryshim, Zuyrab Girchi Japaridze, tha se kjo nuk është një ndjesi e këndshme duke nënkuptuar se mund të ndodhnin arrestime të tjera.
Dhe kështu ndodhi. Disa prej drejtuesve të opozitës u sulmuan pasi lanë hotelin. Dy prej tyre u arrestuan nga policia, mes tyre kampioni i botës në mundje, Zurabi Datunashvili. Në total, opozita tha se u arrestuan 11 anëtarë të saj, duke përfshirë edhe drejtuesin e partisë Gjeorgjia e Fortë, Aleko Elisashvili dhe dy kolegë të tjerë. Lëvizja Kombëtare e Bashkuar tha se u arrestuan pesë anëtarë të zyrës së saj të rinisë. Po ashtu janë kontrolluar disa banesa.
Në Gjeorgji janë mbajtur demonstrata të shumta që prej të enjtes së kaluar pasi partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane tha se po ndalte përpjekjet e vendit për të nisur bisedimet për t’u integruar në BE.
Më shumë se 330 protestues janë vënë në pranga si pasojë e protestave, ndërsa rupet për të drejtat e njeriut thonë se janë të shumtë ata që janë dhunuar në paraburgim. Autoritetet nisën të shkonin pas udhëheqësve të opozitës pas deklaratës publike të kryeministrit Irakli Kobakhidze.
“Politikanët të cilët organizuan dhunë, por u fshehën në zyra, nuk do të jenë në gjendje t’i shmangen përgjegjësisë për ngjarjet që kanë ndodhur ditët e fundit”, paralajmëroi ai duke akuzuar protestuesit se po përhapin “fashizmin liberal”.
Për shkak të vendimit të qeverisë, edhe SHBA ka pezulluar partneritetin strategjik me Gjeorgjinë.