Kryesore Protestë në Tiranë kundër prishjes së lulishtes, do të ndërtohet kulla më...

Protestë në Tiranë kundër prishjes së lulishtes, do të ndërtohet kulla më e lartë në kryeqytet

Një protestë me sloganin “Larg duart nga parku” e organizuar nga “Lëvizja Bashkë” është zhvilluar sot në parkun pas Teatrit të Operas dhe Baletit, për të kundërshtuar prishjen e lulishtes. Protestuesit kanë prishur gardhin metalik, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë edhe forcat e policisë.

Në këtë hapësirë të gjelbër do të ndërtohet një kullë prej 185 metrash, duke shënuar kështu edhe një rekord për ndërtesën më të lartë të Tiranës.

Kompania ndërtuese do të jetë Nova Construction 2012, ndërsa studio arkitekturore daneze Cebra ka ideuar ndërtesën me 58 kate mbi tokë dhe 7 të tjera nën tokë.

“Tiranës po i zhduket një nga parqet e fundit, ai që shtrihet midis pallateve 9-Katëshe dhe Teatrit të Operas dhe Baletit. Dhuna e Betonit nuk ka të ndaluar. Pushtetarë të korruptuar dhe oligarkë të paligjshëm po na lënë pa një prej hapësirave të fundit publike e të gjelbra që i kanë mbetur qytetit”, thanë protestuesit.

Kullat po i marrin frymën Tiranës, u shpreh në fjalën e tij drejtuesi i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori.

“Këto kulla jo vetëm po e shkatërrojnë, jo vetëm po na e marrin frymën, por nuk do të kenë as një minimum funksioni ekonomik. Shikoni si kullat janë në errësirë, por të gjitha rezultojnë të shitura. Kush i blen, blejnë trafikantët e drogës, politikanët e korruptuar, çdokush që ka qeverisur dhe vjedhur këtë vend në 32 vjet”, tha Qori.