Politika Protestë para Bashkisë së Tiranës, Bardhi: Veliaj duhet të shkojë te 5...

Protestë para Bashkisë së Tiranës, Bardhi: Veliaj duhet të shkojë te 5 zyrtarët

Protestues të thirrur nga organizatat e shoqërisë civile janë mbledhur këtë të Premte para bashkisë së Tiranës. Ata kërkojnë largimin nga detyra të kryebashkiakut Erion Veliaj pas zbulimit të rastit të korrupsionit ku 5 ish-zyrtarë të bashkisë kryesore në vend u arrestuan me urdhër të SPAK.

Edhe eksponentë të PD ishin të pranishëm në këtë protestë. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi u shpreh se është “detyrë e opozitës të mbështesë qytetarët”.

Ai theksoi se arrestimi i 5 ish-zyrtarëve nuk është i vetmi rast, duke shtuar se të njëjtat skema korrupsioni aplikohen edhe në bashkitë e tjera të vendit.

“Ajo që ka ndodhur me bashkinë e Tiranës ku 5 zyrtarë i kanë dhënë vetes 22 mln euro është një kambanë alarmi se në çfarë deregjeje ka shkuar qeveria sot. Ai s’duhet të ishte në zyrë, por do duhet të shoqëronte 5 zyrtarët. Nuk është rast i shkëputur, edhe në Drejtorinë e Rrugëve ishte e njëjta skemë. Padyshim opozita do duhet t’u prijë qytetarëve për të larguar këta që gllabërojnë buxhetin”, tha Bardhi për gazetarët.

E pranishme ishte edhe Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Sigurisht që protesta dhe reagimi popullor do t’i shërbejë jo vetëm rrëzimit të këtij sistemi dhe këtij modeli që është një kancer për shoqërinë shqiptare, por në radhë të parë për çeljen e rrugës së ndërtimit të një modeli që të jetë i qëndrueshëm për të gjithë ata që duan të jetojnë në Shqipëri, për të gjithë ata që duan t’i rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri. Kështu që unë jam me shpresë që kjo protestë do të mbështetet dhe do të ketë solidarizim nga masa e gjerë. Ky nuk është thjesht një kryebashkiak, ky është një kryebashkiak që nesër synon të jetë kryeministër. Nëse doni që për 13 vite të tjera të keni një Edi Ramë biss, por një kopje të shëmtuar të tij, atëherë mos reagoni, vazhdoni dhe ky do të jetë modeli që do të predominojë. Por unë jam e bindur që do të jetë e kundërta. Ashtu siç këta njerëz janë ngritur për të dalë kundra kësaj grabitjeje, shumë të tjerë do t’i bashkohen kësaj kauze”, u shpreh ajo.

Para godinës së bashkisë janë vendosur forca të shumta policie që kanë krijuar një kordon sigurie.