Aktualitet Protestë para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimit të naftës

Protestë para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimit të naftës

Ndërkohë kryeministri Edi Rama me disa ministra të tij ndodhen në Dubai prej dy ditësh, qindra qytetarë janë mbledhur në protestën përpara Kryeministrisë, kundër rritjes së çmimit të naftës.

Ata i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama që të ndërhyjë për uljen e çmimit të naftës, qe po tejkalon çdo parashikim duke iu afruar 300 lekë për litër.

Protesta u organizua nga shoqëria civile, dhe thirrjes së disa grupimeve iu përgjigjën një numër i konsiderueshëm qytetarësh, të cilët mbushën rrugën në Bulevardin Dëshmorët e Kombit para Kryeministrisë.

“Është Shqipëria atdheu juaj, jo Instagrami”, tha aktori Florian Binaj. “Të gjithë ata që kanë ardhur këtu edhe mund ta përballojnë këtë çmim, por kanë ardhur edhe për ata që nuk e gjejnë guximin. Por iu them që shqiptarët rrëzuan diktaturën nëse mblidhen të gjithë bashkë, dhe mund të rrëzojnë këdo. Kjo fillon sot, por nuk duhet të mbarojë me keq. Ndërkohë që ne protestojmë këtu, liderin e “Ballkazanit” e kemi në Dubai”.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje “poshtë diktaturës” dhe “poshtë Edi Rama”.

Kjo është protesta e parë pas rritjes së madhe që pësoi çmimi i naftës. Organizatorët paralajmërojnë për përshkallëzim të protestës nëse nuk ndërhyn qeveria.