Qytetarët kanë marshuar sot në ditën e pestë të protestës nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.
Një nga protestuesit i bëri thirrje kryeministrit Rama të reagojë për rritjen e çmimeve. Ai komentoi deklaratat e kryeministrit që protestat kanë turpëruar Shqipërinë në sytë e botës. Protestuesi tha se nuk është turp të protestosh, por turp është të thuash jemi në luftë dhe të shkosh në Dubai.
“Jemi sërish në ditën e pestë të protestës, të dinjitetit të qytetarëve, të rezistencës. Shqiptarët nuk kanë turp të protestojnë, të bashkohen. Kryeministri i cili i vë gishtin e turpit qytetarëve të vet, duhet të kuptojë së shumica janë në shesh, duke izoluar në vetmi prapa dyerve me hekura.
Turp është të vjedhësh, turp është të lësh popullin të varfër, turp është të thuash jemi në luftë dhe të shkosh në Dubai. Turp është kur bombat bien në Ukrainë dhe viktimat janë në Shqipëri. Turp është të mbash një vend më të varfrin në rajon, turp është të mos i japësh shëndetësinë qytetarëve, turp është t’i mbash më të varfër në rajon, një popull pasuria a së cilës është më e larta në rajon. Ne dolëm për dinjitetin tonë, qytetarët dalin për hallin e vet, as për hallin e kryetarit apo të politikanit të radhës. Sot jemi mbledhur sërish për t’i thënë që nuk dorëzohemi. Kërkojmë një jetë ashtu siç e meritojmë.”- u shpreh protestuesi.