Bota Protestuesi në Moskë lidh duart si viktimat në Bucha

Protestuesi në Moskë lidh duart si viktimat në Bucha

Një protestues në Moskë është fotografuar i shtrirë me fytyrë përtokë me duart e lidhura në shenjë homazhi ndaj viktimave që janë gjetur në qytetet afër Kievit që deri vonë ishin pushtuar nga forcat ruse.

Imazhet tronditëse të trupave në rrugët e qytetit Bucha, disa prej të cilëve ishin me duar të lidhura, kanë provokuar reagime të forta kundër Rusisë në ditët e fundit.

Fotot e protestës janë shpërndarë nga faqja Holod.media, stafi i së cilës siç shkruan BBC është larguar nga Rusia dhe shpesh është vënë në shënjestër nga autoritetet ruse. Por nuk janë bllokuar ende.

Protestuesi është fotografuar në pjesë të ndryshme të kryeqytetit rus, duke përfshirë një urë pranë katedrales së qytetit, Krishti Shpëtimtar.

Edhe pse protestat në Rusi janë bërë gjithnjë e më të kufizuara vitet e fundit, tubime të shumta dhe demonstrata në shkallë më të vogël janë mbajtur që nga pushtimi i Ukrainës nga Presidenti Putin.