Interi konfirmohet ‘mbreti’ i transfertave këtë sezon në Serinë A, teksa ka fituar të pestën sfidë sezonale larg “San Siros”, këtë herë në përballjen e vështirë ndaj Atalantës në Bergamo.
Zikaltrit e Simone Inzaghit triumfuan 1-2 në një sfidë mjaft të komplikuar, duke u ngjitur në kuotën e 28 pikëve, 5 më shumë se Juventusi dhe Milani, që nuk kanë luajtur ende ndeshjen e tyre të javës së 11.
Hakan Calhanoglu shënoi golin e parë për Interin me penallti në minutën e 40’, ndërsa më pas në të 57-ën ishte kapiteni Lautaro Martinez që shënoi të dytin.
Sfida u rihap shpejt nga Scamacca, pas një gabimi të Dimarcos, ndërsa më pas Atalanta provoi të gjejë edhe golin e barazimit, por Sommer ishte i pakalueshëm në 2-3 raste të komplikuara.
Në shtesë u bë protagonist edhe Kristjan Asllani, që nisi me një pasim perfekt Sanchez të vetëm drejt portës, por sulmuesi kilen u ndal me faull nga Toloi, që mori edhe të verdhin e dytë, duke lënë të tijtë me 10 lojtarë deri në vërshëllimën finale.
Interi mori fitoren e nëntë sezonale dhe me 28 pikë është lider i Serie A. Atalanta mbetet në renditje e pesta me 19 pikë.