Në Kazakistan, një zonë ku dikur realizoheshin provat bërthamore vazhdon të jetë një kujtesë e gjallë e periudhës kur Rusia shtonte arsenalin e saj bërthamor. Ndërkohë, shkencëtarët në mbarë botën vazhdojnë të studiojnë pasojat e shkaktuara nga mbi më shumë se 400 shpërthime bërthamore. Shumë nga ata që jetonin pranë poligonit ku kryheshin provat bërthamore në Kazakistan ende i vuajnë efektet anësore të rrezatimit.
Ky shpërthim me dy faza i bombës me hidrogjen u realizuar më 22 nëntor të vitit 1955 në poligonin e provave bërthamore
Semipalatinsk në republikën e atëhershme sovjetike të Kazakistanit. Kjo ishte një nga provat e shumta në këtë poligon. Prova e parë në poligonin Semipalatinsk u realizua më 29 gusht të vitit 1949, me një fuqi prej 22 kiloton.
Ky poligon provash u krijua mes tensioneve midis dy superfuqive, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Republika më e madhe në Azinë Qendrore, Kazakistani dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Është i vetmi poligon në botë i populluar gjatë dhe pas provave me bomba bërthamore.
Rreth 456 prova bërthamore, përfshirë 340 teste nëntokësore dhe 116 atmosferike, u kryen në këtë poligon me një shtrirje prej 18,500 metrash katrorë.
Shkencëtarët thonë se fuqia totale e armëve bërthamore të testuara nga viti 1949 deri në vitin 1963 në poligonin Semipalatinsk e tejkaloi fuqinë e bombës atomike të hedhur në Hiroshima me rreth 2500 herë.
“Ndotja kryesore radioaktive është rezultat i provave ajrore, saktësisht si rezultat i testeve mbi sipërfaqen e tokës. E kam fjalën për tre provat kryesore të viteve 1956, 1953 dhe 1949. Prova e vitit 1949 ishte e para kur ishte e nevojshme realizimi me shpejtësi i një shpërthimi pa marrë në konsideratë kushtet atmosferike dhe rrezatimin e përhapur nga era”, thotë Aisan Aydarkhanov, me Institutin e Sigurisë nga Rrezatimi dhe Ekologjinë në
Liqeni Chagan, me nofkën “Liqeni Atomik”, u krijua si rezultat i një prove bërthamore në Chagan më 15 janar të vitit 1965.
“Një nga ndotjet më të mëdha ka ndodhur pas krijimit të liqenit atomik, si pasojë e një shpërthimi të përshkallëzuar. Të gjitha nënproduktet e shpërthimit bërthamor përfunduan në sipërfaqe”, thotë zoti Aydarkhanov.
Territori në fjalë nuk u shpall nën mbrojtje deri në vitin 2006, duke bërë që popullsia vendase ta përdorte pjesën më të madhe të tij për kullotjen e bagëtive.
Falë përpjekjeve të popullsisë vendase dhe shkencëtarëve nga Qendra Kombëtare Bërthamore e Kazakistanit, në vitin 2008 u bënë ndërtime mbrojtëse për pjesët më të ndotura të zonës, për të parandaluar qasjen si nga vendasit ashtu edhe nga bagëtitë.
Në zonat e mbrojtura të ish-poligonit të provave, ndotja radioaktive është rreth 10 deri 20 mikroroentgen në orë.
Zona e sigurt është 60 kilometra larg epiqendrës ku u realizua prova me bombën me hidrogjen. Sipas të dhënave zyrtare, poligoni Semipalatinsk është i vetmi vend testimi në botë që po përdoret për qëllime bujqësore nga popullsia vendase.
Zoti Aydarkhanov thotë se hulumtimet tregojnë se pjesë më të gjera të zonës nuk janë prekur fare nga rrezatimi.
“Hulumtimet e specialistëve nga Qendra Kombëtare Bërthamore treguan se një pjesë e territorit nuk ishte ndotura fare nga radiacioni. Rrezatimi nga shpërthimet bërthamore nuk u përhap në territorin përtej poligonit të provave”.
Qindra mijëra kazakë u ekspozuan për 40 vjet ndaj rrezatimit përpara se zonat e ndotura të mbylleshin.
Nurgaz Mamrzhanov, banor i një prej fshatrave pranë zonës, ishte dëshmitar i një shpërthimi bërthamor në poligonin Semipalatinsk. Ai thotë se gjatë epokës sovjetike ishte e pamundur të flitej për këtë.
“Pashë shpërthimin e fuqishëm që krijoi një shtëllungë në formë të kërpudhës. Ne pamë tym të zi që ngrihej në qiell. Na thanë që të mos e shikonim shpërthimin, por ne kazakët e shikuam”.
Ai humbi një nga fëmijët e tij si rezultat i afërsisë së poligonit të provave bërthamore.
“Qëndrova pranë tij në spital për 45 ditë. Atëherë nuk na thanë arsyen e vdekjes”, tregon zoti Nurgaz Mamrzhanov.
E vërteta doli në dritë vetëm pasi Kazakistani fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Zemërimi i publikut pas një prove bërthamore në thellësi të tokës në vitin 1989 çoi në mbylljen e poligonit.
Në ditët e sotme, ndërsa shkencëtarët e qendrës bërthamore të Kazakistanit thonë se nivelet e rrezatimit nuk janë më të larta, në rajon vazhdojnë të lindin fëmijë me mutacione gjenetike. Më shumë se 30 vjet pas mbylljes së poligonit, rrezatimi bërthamor vazhdon të ketë ndikim negative tek shëndeti i banorëve të rajonit.
Drejtoresha e Qendrës për Mjekësinë Bërthamore dhe Onkologjinë, Tatiana Belikhina, thotë se ka pasur një rritje të rasteve të diagnostikimit me kancer “në përpjesëtim të drejtë me dozën e rrezatimit dhe lindjeve me defekte”.
“Filluan të lindin fëmijë nga prindër të ekspozuar ndaj rrezatimeve. Nuk kemi përgjigje përfundimtare shkencore se sa do të zgjasë ky ndikim negativ”, thotë zonja Belikhina.
Sipas të dhënave zyrtare në Kazakistan, numri i rasteve të reja me kancer në vitin 2021 u rrit me 25-30 për qind dhe arriti në 36,000 raste. Zona përreth poligonit Semipalatinsk dhe rajonet fqinje zunë vendin e parë sipas të dhënave./VOA