Politika Provimi tek Magjistratura, PD kërkon seancë dëgjimore me Arben Rakipin dhe reagim...

Provimi tek Magjistratura, PD kërkon seancë dëgjimore me Arben Rakipin dhe reagim ndërkombëtar

Partia Demokratike e Rithemelimit kërkon me ngulm shpjegim lidhur me përzgjedhjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj nga Shkolla e Magjistraturës. Deputetët demokrat të Komisionit të Ligjeve kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesën për seancë dëgjimore me kreun e Shkollës së Magjistraturës, ndërkohë anëtari i Kryesisë, Ivi Kaso kërkon reagim ndërkombëtar për atë që e quan skandal me përzgjedhjen e magjistratëve të rinj.

“U bë më shumë se një javë nga zbulimi i skandalit te Magjistratura dhe asnjë reagim nga struktura drejtuese e drejtësisë.

Sigurisht, nga drejtuesi i shkollës nuk pritej asnjë reflektim, pasi ai është aty si shpërblim për aktivitetin e tij ekstra juridik dhe politik.

Pyetja është: po bordi që përbëhet nga Prokurori i Përgjithshëm, ministri i Drejtësisë, kryetari i KLP etj., pse hesht? Ende nuk është thënë asgjë, ende nuk është marrë asnjë masë, ende nuk është bërë asnjë transparencë.

Partia Demokratike u kërkon aleatëve ndërkombëtarë të ndërhyjnë publikisht për të penguar kapjen e sistemit të drejtësisë, jo vetëm për sot por edhe për pjesën e mbetur të shekullit. Një drejtësi klienteliste dhe politike, si kjo që po përgatit Rilindja është një sistem që bën me turp Shqipërinë, por edhe aleatët e saj.

Një drejtësi në dorën e një force politike është një fyerje për taksapaguesit amerikanë dhe europianë, për ekspertët e tyre, që kanë kontribuar në Shqipëri që nga viti 1992.

Profilet e bandës me 40 patronazhistë të Ali Babës së pseudodrejtësisë, të hetuara nga mediat këto ditë dëshmojnë qartë se të gjithë personat e shtuar në listën e fituesve punojnë në institucione të administrates, ose vijnë direkt nga zyrat e patronazhimit të PS.

Juristët e administratës dhe të qeverisë së Ramës gradohen, jo për merita në jurisprudencë por për militancë politike.

Ky është turp që taksapaguesit shqiptarë nuk duhet ta pranojnë.

Në dyert e gjykatave trokitet për ligjin, jo me teserën e Partisë Socialiste në xhep.

Nëse nuk parandalohet ky projekt vrastar, ky do të jetë realiteti nesër.

Partia Demokratike po përgatit padinë penale dhe do ta çojë në SPAK këtë skandal të rëndë që dëmton infrastrukturën e shtetit, dhe hedh në erë ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Ne kërkojmë gjithashtu verifikimin e procedurave të mëparshme të pranimit në këtë shkollë që kur Arben Rakipi është vënë në krye të Magjistraturës”.