Kryetari i PD-së Lulzim Basha e ka quajtur Sali Berishën dhe sjelljen e tij gjatë protestës së 8 janarit si të denjë për kreun e një organizate kriminale anti-amerikane.
Basha gjatë një interviste për ABC, ka theksuar se Berisha u përjashtua me unanimitet nga Kryesa e PD-së, pasi ai vendosi të sillet jo si një politikan, por tentoi të vrasë grupin e drejtuesve të PD-së,
“Ty, mua dhe këdo tjetër në këtë botë na sjell zoti, na rrit familja jonë. Në politikë futemi me vullnetin tonë dhe një nga përpjekjet kryesore të jetës time politike është t’i çliroj shqiptarët nga mentaliteti që të solli ky dhe të hoqi ai. Sali Berisha është përjashtuar me unanimitet nga Kryesia e Partisë Demokratike ditën pasi vendosi të sillej jo si politikan, por si kreu i një organizate kriminale antikombëtare, antiamerikane dhe provoi tentativën e vrasjes të një grupi drejtuesish dhe anëtarësh të Partisë Demokratike në selinë e Partisë Demokratike pasi kishte nisur një fushatë të nxitjes së dhunës, të gjuhës së urrejtjes, të përçarjes së demokratëve për të shkatërruar Partinë Demokratike siç e paralajmëroi vetë që nëse Partia Demokratike nuk do të kthehej në bunker për hallin e tij personal, ai do ta shkatërronte, nuk e meritonte të ekzistonte.
Njësoj si Edi Rama, edhe Ilir Meta dhe çdokush tjetër e shikon këtë si një mundësi për t’i zgjatur jetën tranzicionit nga i cili përfitojnë aktorët e tranzicionit. Për ne është e qartë: Beteja është midis të shkuarës dhe të ardhmes. Demokratët kanë folur qartë në Kuvendin Kombëtar, kanë folur qartë në aktet dhe veprimet e tyre. Shqiptarët duan të ardhmen, demokratët kanë zgjedhur të ardhmen, kanë zgjedhur t’i prijnë betejës për të ardhmen.
Nuk ka për të qenë piknik, kemi përballë forca të errëta, forca kriminale, forca që sot zotërojnë financat dhe ekonominë e vendit, por një gjë është e sigurt: Historia na mëson që pakica mbetet pakicë. Dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve është forca jonë, është frymëzimi ynë, është motivi ynë”, tha Basha.