Politika “Provokim i rrezikshëm”, Rama dënon sulmin me raketa në Odessa: Rrezikoi jetën...

“Provokim i rrezikshëm”, Rama dënon sulmin me raketa në Odessa: Rrezikoi jetën e Mitsotakis-it dhe Zelensky-t

Ditën e mërkurë, kur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ndodhej në qytetin jugor të Ukrainës, Odessa, për t’u takuar me Presidentin Volodymyr Zelensky pati një sulm me raketa.

Këto veprime janë dënuar fuqishëm nga kryeministri Edi Rama, i cili thotë se ky sulm rrezikoi jetën e kreut të qeverisë greke, një mik dhe aleat i përkushtuar i NATO-s, por edhe të Presidentit ukrainas, Zelensky.

Sipas Ramës, sulme të tilla janë provokime të pamatura dhe të rrezikshme.

“Dënojmë fuqishëm sulmin me raketa ruse në Odessa që rrezikoi jetën e kryeministrit të Greqisë, Mitsotakis, mikut dhe aleatit të përkushtuar të NATO-s dhe Presidentit Zelensky, të cilin pata kënaqësinë ta prisja javën e kaluar në Tiranë. Këto janë provokime të pamatura dhe të rrezikshme”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Kujtojmë se ditën e djeshme një nga raketat ra rreth 150 metra larg autokolonës që shoqëronte Mitsotakis. Mediat greke bënë me dije se asnjë nga delegacioni nuk pësoi asnjë dëmtim dhe vazhduan axhendën sipas parashikimeve.