Në përfundim të fjalimit që ka zgjatur rreth 90 minuta, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama bëri me dije disa ndryshime në organizmin e partisë.
Rama tha se është propozuar shtimi i tre sekretariateve. Bëhet fjalë për Sekretariatin Ekzekutiv (Eridian Salianji), Sekretariatin për Emigracionin (Leart Duraj) dhe Sekretariatin për Koordinimin (Blerina Gjylameti).
Në një kohë kur vitin e ardhëm priten të mbahen zgjedhjet lokale, Rama kërkoi që të nisë që tani puna për përzgjedhjen e kandidatëve në 61 bashkitë e vendit.
Kreu i PS kritikoi një pjesë të deputetëve për angazhimin e tyre në punën e përditshme me qytetarët në terren.
“Kemi deputetë të shkëlqyer e them me plot gojën, rrinë e ndjekin çdo gjë në terren, por kemi deputet që për herë të fundit kanë qenë ditën kur janë numëruar votat”, tha Rama.
Kongresi i PS nisi rreth orës 09:00 dhe pritet të përfundojë në orën 17:00.
Në këtë kongres, 1700 delegatë kanë votuar për disa ndryshime në statutin e partisë.
Delegatët votuan pro ndërprerjes së mandatin të 61 kryetarëve të degëve duke nisur zgjedhje brenda partisë.
Kryetarët e rinj do të zgjidhen duke nisur nga 1 maji deri më 15 qershor.