Me 106 vota pro, dy kundër dhe asnjë abstenim deputetët socialistë dhe demokratë votuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor që u dakordësua mes PS dhe PD që i hap rrugë votës së diasporës.
Kanë qenë dy deputetet e opozitës, Dashnor Sula dhe Enkelejd Alibeaj që nuk kanë dhënë pëlqimin e tyre për ndryshimet që u dakordësuan mes PS dhe PD.
Kështu, me formulën e re për shpërndarjen e mandateve dy partitë e mëdha PS-PD ndryshe nga sa premtuan, forcuan vullnetin e kryetarit në hartimin e listës pasi plot 100 deputetë do emërohen prej tyre. Diskutimet e këtyre ndryshimeve u shoqëruan me debate e kundërshti.
Zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë pas hapjes së procesit të regjistrimit nga KQZ aplikon në mënyrë individuale për regjistrim në listën e këtyre zgjedhësve. Votat e tyre do të dërgohen me postë dhe këtë parashikohet në kod se KQZ përzgjedh me procedurë të hapur një operator postar me eksperiencë dhe reputacion ndërkombëtar që siguron postë të shpejtë.