Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, thotë se partia ku ai bën pjesë nuk është mburojë për askënd që është pjesë e një hetimi dhe kjo vijë e kuqe nuk duhet të kalohet nga askush.
Në një prononcim për mediat, Balla tha se është e rëndësishme që drejtësia të bëjë punën e saj.
“Në aspektin njerëzor nuk jam i gëzuar. Por ka një aspekt tjetër që forca udhëheqëse e PS në çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi gjithnjë ka pasur si objektiv arritjen në një moment kur drejtësia të funksionojë dhe të vendoset para drejtësisë gjithkush. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim për të thelluar më tej efektet e Reformës në Drejtësi. Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë. PS ka vendosur një vijë të kuqe me këdo sapo ndaj një përfaqësuesi të PS drejtësia kërkon ose vendos një masë sigurie ose sjell në kuvend një kërkesë për hetime apo për çështje të tjera, natyrshëm që vija e kuqe është që PS nuk është mburojë për askënd. Kjo do jetë një vijë e kuqe për këdo dhe do vazhdojmë të mbajmë këtë qëndrim që kemi mbajtur”.
Balla bëri të ditur se nesër do të mblidhet Këshilli për Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit për deputetin Alqi Bllako, me qëllim hapjen e rrugës për arrestimin e tij.
“Sapo kryetarja e Kuvendit ka njoftua edhe thirrjen nesër në orën 18:00 të Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin dhe procedura e kuvendit do vijojë pa asnjë vonesë. Për ne është e rëndësishme që drejtësia të bëjë detyrën e saj”.
Balla theksoi se nuk do të ketë asnjë pengesë për drejtësinë në rastin e deputetit Bllako.
“Asnjë vonesë dhe asnjë pengesë për të çuar përpara një arritje që Shqipëria e ka të pakontestueshme, Reforma në Drejtësi”.
SPAK i ka kërkuar sot Kuvendit të Shqipërisë autorizim për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, si i dyshuar për përfshirje në aferën e inceneratorit të Fierit.