Socialistët kanë vendosur të rrinë larg debateve të brendshme të Partisë Demokratike, duke i ftuar kundërshtarët të ulen dhe të dialogojnë për reformat në një tryezë brenda institucioneve. Nga Shkodra, ku prezantoi drejtuesen politike të qarkut Edona Bilali, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri shprehu gatishmërinë për dialog.
“PS dhe Kryeministri Rama e ka thënë edhe në Kuvend që ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të dialogojmë me PD, dialogimi nuk bëhet me diplomacinë e megafonit as me deklarata për shtyp, dialogimi bëhet që të ulemi në tryezë siç kemi bërë reformën zgjedhore më parë, siç kemi bërë reforma të tjera. Kryeministri e tha që ne jemi të gatshëm pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që kemi qoftë për reformën në drejtësi, qoftë për reformën territoriale apo edhe për probleme të reformës zgjedhore nëse ata duan të adresojnë këto çështje e mira është edhe një dialog që zhvillohet në institucione. PD është në institucione dhe ne e mirëpresim në çdo kohë. Për përmbajtjen është shpejt të flasim sepse ai është produkt i tryezave të përbashkëta”.
Por a konfirmon një dialog i mundshëm PS-PD për reformat, akuzat e ish-kryeministrit Berisha për një pazar Rama-Basha?
“Nuk dua të futem në akuzat që kanë ata me njëri-tjetrin. Ky është një problem i tyri i brendshëm. PS është e gatshme të dialogojë me PD-në zyrtare kushdo që merr përsipër të përfaqësojë dhe që do të shprehë interesat e demokratëve për ata ndryshime që ata mendojnë të nevojshme. Por negociatat dhe politikëbërja zhvillohet në institucione dhe ne jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo kohë me ta”.
PS duket se nuk po humb aspak kohë për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Ndaj prej ditësh, i shoqëruar edhe nga sekretari organizativ Blendi Klosi, Gjiknuri ka prezantuar disa drejtues politikë.
“Ky proces është i nevojshëm pavarësisht se mund të ketë mendime të ndryshme sa i përket organizimit, rëndësishme është që ne kemi frymë fituese dhe do vazhdojmë që ta përçojmë këtë frymë kudo”.
Ekipi i ri i sekretarëve që drejtohet nga Damian Gjiknuri ka afat deri në Dhjetor të përgatisë platformën e strukturimit të partisë, në mënyrë që të marrë edhe votëbesimin në Asamblenë Kombëtare.