Këshilli i Mandateve ka nisur mbledhjen e dytë për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt, me përfaqësuesit ligjor të ish-zv/kryeministrit që po parashtrojnë argumentet mbrojtëse.
Mbledhja e sotme vjen pas asaj të djeshme që zgjati për 4 orë dhe u shoqërua me debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës.
Këshilli i Mandateve nuk i dha një përgjigje Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Ahmetajt, ndërsa lajmi më i rëndësishëm që prodhoi kjo mbledhje ishte konfirmimi nga avokati Henrik Ligori, i largimit të ish-zv/kryeministrit jashtë Shqipërisë.
Sakaq, edhe mbledhja e sotme ka nisur me tension. PD ka kërkuar që në start, që raporti të shqyrtohet në seancën plenare të ditës së nesërme dhe t’i jepet sa më shpejt autorizimi organeve të drejtësisë.
“Po bashkëpunoni në krim, mos i jeni më shumë kohë Arben Ahmetajt që të fshihet. Boll e zvarritët çështjen. Të përfshihet në rend dite të seancës plenare të ditës së nesërme dhe të japim autorizimin prokurorisë që të veprojë. Mos pengoni drejtësinë. Opozita e ka gati raportin, ndaj të veprojmë pa asnjë vonesë, ta shqyrtojmë e miratojmë nesër”, mësohet të jetë shprehur kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Por, anëtarët e PS në Këshillin e Mandateve nuk janë dakord. Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla është shprehur se çështja duhet të shqyrtohet në seancën plenare të javës së ardhshme, që do të zhvillohet të hënën në orën 17:00.
Vendimi për këtë kërkesë të të majtëve do të merret në fund të mbledhjes, ndërsa një tjetër propozim prej tyre është që të premten në orën 12:00 të mblidhet sërish Këshilli i Mandateve për shqyrtimin e raportit.
Ndërkohë në fillim të fjalës së tyre avokatët e Ahmetaj kanë kërkuar 2 javë kohë para se të miratohet raporti në seancë. Teksa dje njoftuan se Ahmetaj ndodhet jashtë vendit, sot avokatët janë shprehur se deputeti i PS mungon në mbledhje për arsye familjare.
Ndërkohë, Bardhi është përplasur me avokatët e Arben Ahmetajt, të cilët i ka pyetur nëse kanë prova për ligjshmërinë e pasurisë së klientit të tij. Bardhi po ashtu ka pyetur nëse edhe Damian Gjiknuri ka udhëtuar me Ahmetajn.
“Nëse klienti juaj do ishte prezent, do bashkëpunonte dhe përballej me drejtësinë, mund të kishim qenë mirëkuptues për më shumë kohë për mbrojtje. Por klienti juaj ka ikur jashtë vendit ditën që është kërkuar arrestimi. Kritikuat prokurorinë pse e ka shtrirë hetimin duke nisur që në vitin 2004. Ky lloj hetimi i pasurisë së zyrtarëve duhet të bëhet për të gjithë politikanëve. Akuzat nuk kanë natyrë politike, por për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Pse jeni ju kundër kontrollit të pasurisë dhe shtrirjes se hetimit që nga 2004? Keni ju prova për ligjshmërinë e kësaj pasurie? Pse ka gënjyer Ahmetaj për raportin me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton? A rezulton që në udhëtime njëlloj si Ahmetaj me këta dy persona, ka qenë edhe Damian Gjiknuri? A e konfirmoni ju këtë?”, pyeti Bardhi.