Pas një vizite në shërbimin e provës, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja iu përgjigj interesit të gazetarëve mbi ligjin për Amnistinë Penale, të cilin mazhoranca e hoqi nga rendi i ditës në seancën e shkuar parlamentare, pas refuzimit të Rithemelimit dhe PD-së së Lulzim Bashës për ta votuar.
Për herë të parë mazhoranca duket se është e gatshme të lëshojë pe për amendamentin e shtuar prej tyre, që parashikon se edhe personat e dënuar nga GJKKO mund të përfitojnë ulje dënimi nga 1 deri në 1.5 vite burg.
Manja la të kuptohej se terreni është i hapur për diskutime me opozitën dhe se PS mund të tërhiqet nga amendamenti i shtuar në projektligj.
“A jemi të gatshëm ne që sigurisht të ulemi për këtë amendamentin. Po patjetër të ulemi. Nëse qenka hataja pse do përfitojë 1 vit ulje dënimi le të themi 3 ish-punonjës policie të dënuar për shpërdorim detyrë në Kukës, patjetër tërhiqemi ne s’është problem. Qëllimi ynë është të miratohet kjo amnisti, për arsyet që thashë, pse jo edhe për shkak të një mbipopullimi që kemi. Amnisti kur është arritur qëllimi i dënimit, pse jo Parlamenti duhet të ketë çdo vit”, tha Manja.
I pyetur se ku do t’i gjejë shumica votat për të kaluar ligjin e Amnistisë, tashmë që Basha është shprehur kategorikisht kundër bashkëpunimit me ta, Manja tha se të dënuarit nuk mund të ndahen sipas përkatësisë politike.
“Do të bashkëpunojmë me çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë që tashmë kanë lexuar ligjin, kanë reflektuar mbi këtë proces, se ky është një ligj që prek të gjitha kategoritë e të dënuarve. Nuk mund të ndahen të dënuarit, në tanët dhe të atyre. Ata janë të gjithë pjesë e jona, kanë vuajtur mbi 2/3 e dënimit dhe është në nderin e secilit prej deputetëve që të japë votën që këta 600-700 persona të bashkohen me familjarët e tyre”, deklaroi ai.
Por për ministrin e Drejtësisë mazhoranca ka një kusht të panegociueshëm në lidhje me Amnistinë.
“Unë e kamë thënë vota me kusht për përfitime të tjera politike në kurriz të Amnistisë nuk do të pranohet. Ne ligjin e amnistisë do ta fusim në Parlament kur deputetë e opozitës të jenë në sallë dhe do të jenë ata që do ta kërkojnë të futet në rendin e ditës ligji. Ne si mazhorancë e kemi bërë punën tonë. Kemi depozituar prej 3 muajsh ligjin në Parlament. Kur të bëhen gati, rregullorja aty është futet ligji në rendin e ditës. Unë do të preferoja që ky ligj të marrë votat e të gjithë deputetëve të Shqipërisë”, theksoi ai.