Politika PS mbledh Asamblenë para shtatorit, priten largime: Kush rrezikon

PS mbledh Asamblenë para shtatorit, priten largime: Kush rrezikon

Socialistët kanë nisur prej dy javësh analizën e rezultatit të 25 prillit, një proces që do të zgjasë rreth gjashtë muaj, për t’u përmbyllur në janar 2022. Numri dy i partisë, Taulant Balla, e bëri të qartë para Kongresit të partisë, se llogaritë e asaj që shkoi do të jenë të vlefshme për dy sfidat e ardhshme elektorale.

Objektivi minimal i socialistëve në zgjedhjet e kaluara ishte ruajtja e votave të vitit 2017, gjë që nuk u arrit në 8 prej 12 qarqeve. Kjo nuk u përkthye kudo me lëvizje në numrin e mandateve, për shkak të performancës së dobët të kundërshtarëve, kryesisht Lëvizjes Socialiste për Integrim, por tkurrja në vota është fakt në shumë zona.

Në qarkun e Beratit, ku drejtues politik është Blendi Klosi, PS mori 3300 vota më pak se në 2017-n, pavarësisht se afroi disa prej personazheve të njohur të LSI-së në atë zonë. Në Fier, PS-së rreth 13 mijë vota më pak sollën humbjen e një mandati, por Gramoz Ruçi nuk priti t’ia tregonte kush përgjegjësinë dhe u largua nga politika.

Damian Gjiknurit në Vlorë i munguan 6000 vota, por fajin ia ngarkoi mos angazhimit të Bashkisë. Në qarkun Gjirokastër, me drejtues Bledi Çuçin, socialistët morën gati 3000 vota më pak, ndërsa në Korçë munguan 2000 vota.

Lindita Nikolla në Lezhë mblodhi 3000 vota më pak, ndërsa kolegu i saj i Shkodrës, Ilir Beqja rezultoi me minus 9000, duke humbur edhe një mandat. Në Tiranë, diferenca e votave është 20 mijë më pak, duke ngritur pikëpyetje për fatin e kryetarit të komanduar të degës, Ervin Bushati.

Në fund të gushtit, para se të nisë jeta parlamentare me vjeshtën, socialistët do të mbledhin sërish asamblenë, këtë herë për të rizgjedhur kryesinë dhe sekretariatin e ri, ku puna e gjithësecilit në zgjedhje do të vihet në peshore.