Partia Socialiste ka miratuar sot ligjet që ishin në rend dite, por opozita kundërshton votimin për mungesë kuorumi, pasi në sallë ishin 68 deputetë. Seanca prodhoi konflikt për shkak të votimit.
Nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj deklaroi se ishin 68 deputetë të pranishëm që kishin ngritur kartonin jeshil dhe kishin marrë pjesë në votim. Por ky numër sipas opozitës nuk është i mjaftueshëm për të vijuar me miratimin me pikat e tjera të rendit të ditës, projektligjet kërkonin shumicë të thjeshtë votash, por në sallë ishin 68 deputetë dhe referuar rregullores së kuvendit, nenit 55 të saj pika 2; kuorumi për çeljen e votimit parlamentar është të paktën 71 deputetë.
Përveçse në çelje të kuorumit në nisje të votimit, Felaj nuk tregoi më pas sesa deputetë kishin marrë pjesë në miratimin e pikave të tjera të rendit të ditës duke ngritur paqartësi për procedurën e ndjekur të Kuvendit. Mënyra sesi u votua ngrit tymnajë proceduriale për shkak të votave që ishin në sallë
Ndër ligjet e miratuar sot ishin ai për burimet ujore, ligji për ndryshime në arsimin dhe ligji për turizmin.
Jashtë sallës së Kuvendit, Gazment Bardhi e cilësoi antikushtetues procesin e votimit të projektligjeve në rendin e ditës në Kuvend dhe në shkelje të rregullores, pasi sipas tij nuk u plotësua kuorumi, teksa në sallë ishin 68 deputetë të mazhorancës dhe ata të opozitës që nuk morën pjesë në votimin për prezencën.
Teksa shpjegoi rregulloren, Bardhi ftoi presidentin Begaj që të kthejë këtë paketë ligjesh, së bashku me ligjin e miratuar për zonat e mbrojtura.
“Kaloi në seancë pa u shpallur rezultati i votimit, nuk mund të konsiderohet i miratuar. Sipas rregullores së Kuvendit dhe jurisprudencës, thuhet që për efekt të kuorumit llogariten vetëm ata që kanë marrë pjesë në votim dhe në votim morën pjesë 68 deputetë. Që të hapet votimi duhen 71. Imagjinojeni çfarë iu bëjnë parave të shtetit. E gjithë paketa do të duhet që presidenti të justifikojë rrogën. Është një procedurë që kryen në verifikim dhe në presim që të shprehet për ligjin e zonave të mbrojtura dhe të kthejë këto ligje që quhen të miratuara, por nuk janë. PD-ja është e bashkuar, kemi një detyrë më të rëndësishme të forcojmë partinë dhe ta bëjmë fituese”, tha Bardhi.
Ai hodhi akuza ndaj nënkryetares së parlamentit, Ermonela Felaj, që sot ishte në drejtimin e seancës duke u shprehur se ligji për investimet i shërben oligarkëve dhe disa grupeve kriminale.
“Sot në drejtimin e seancës ishte përfaqësuesja e 5 oligarkëve që përfitojnë nga ligji dhe 3 grupeve kriminale që përfitojnë po ashtu nga ligji për investimet strategjike”, tha Bardhi.