Kryesore PS ndez motorët për zgjedhjet, Rama: Në listat e mbyllura, vetëm deputetët...

PS ndez motorët për zgjedhjet, Rama: Në listat e mbyllura, vetëm deputetët me një mandat dhe të rinjtë

Në nisje të Asamblesë Kombëtare të PS, kryeministri Edi Rama deklaroi se partia tashmë do të nisë përgatitjet për zgjedhjet e reja që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Kreu i qeverisë u shpreh se nisur nga kodi i ri zgjedhor, deputetët me më shumë se një mandat do të jenë në garë të hapur, teksa të rinjtë do të jenë pjesë e listës së mbyllur.

“Sot hapim një kapitull të ri të jetës së kësaj familje nga ky stacion ku do përmbyllim proceset  e brendshme zgjedhore duke ngarkuar edhe ekipin e ri drejtues, do nisemi drejt përballjes për mandatin e 4 qeverisë të PS. Për 6 muaj duhet të jetë gati të zbresë zyrtarisht në fushë skuadra jonë e re përfaqësuese PS2030 për Shqipërinë 2030. Pjesëtarë duhet të jetë 187.

140 prej tyre në listën e votimit për garën e hapur për garën në popull dhe 47 në listën e mbyllur të partisë. Më e mira është që deputetët me më shumë se 1 mandat pa përjashtuar dhe drejtuesit e qarqeve, të jenë në garë të hapur si gjithë të tjerët, ndërsa në listën e mbyllur mund të jenë vetëm pak prej tyre të cilët do kenë detyra specifike, si për shembull Sekretari i Përgjithshëm, në kushtet kur do jetë edhe hera e parë në zgjedhje e shqiptarëve jashtë atdheut.

Pjesa kryesore e listës së mbyllur do të jenë deputetë me vetëm njw mandat dhe të rinj e të reja që do fitojnë vendin në atë listë duke spikatur nga sot deri në shkurt”, deklaroi ndër të tjera Rama.