Partia Socialiste ka nisur të mbledhë firmat e deputetëve për të dërguar për votim në kuvend shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Pas vendimit të marrë në mbledhjen e kryesisë këtë mëngjes, socialistët duhet të mbledhin tashmë firmat e ¼-ve të deputetëve, ose 35 të tillë.
Socialistët paralajmëruan se të enjten do të ketë një diskutim të gjerë në kuvend ku do të parashtrojnë të gjithë argumentet e tyre pse Presidenti duhet shkarkuar dhe pse dekreti i tij i fundit, për shfuqizimin e dekretit që caktonte 30 qershorin si datë të mbajtjes së zgjedhjeve vendore, është i pavlefshëm.
Diskutimi pritet të mbyllet me një rezolutë për shkarkimin e Presidentit, që duhet të marrë 94 vota, çka do të thotë se shumicës do t’i duhen edhe votat e deputetëve të rinj të opozitës, dalë nga listat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pas djegies së mandateve.
Megjithatë, edhe nëse merr votat e duhura, vendimi i Kuvendit do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, e cila për momentin nuk është funksionale, çka do të bëjë që deri në ngritjen e saj dhe shqyrtimin e vendimit Meta të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.