Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për lidhje familjare me një prej kompanive që ka fituar tenderin tek Unaza e Re.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Balla tha se Lulzim Basha shkon në takimet me banorët e Unazës së Re me makinën që është në pronësi të njërës prej këtyre kompanive.
“Takojmë edhe ne qytetarë të Unazës së Re dhe njëri prej tyre erdhi dje dhe solli këtë dosje për ty. Do ta lë këtu ta lexosh. Më tha, ne ndihemi të fyer që Lulzimi na vjen në protestë me makinën e pronarit të kompanisë që ndërton. “AA 111 EN”, kjo është makina që ti shkon përditë në protestën te Astirit.
Thotë që makina është në pronësi të kompanisë “Victoria Invest” një prej kompanive që ka fituar tenderin. Makinë me vlerën 53 mijë Euro, që pasdite për pasdite u shkon banorëve të Astirit. Bufa na di ne që nuk e dimë lidhjen tënde me kompaninë “Victoria Invest”? Kompania është kumbare e familjes tënde”, u shpreh Balla në Parlament.
Deklarata e kreut të grupit të PS shkaktoi reagime tek deputetët e Partisë Demokratike.