PS ka refuzuar kërkesën e opozitës për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore. Pas mbledhjes së Grupit të Dialogut për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi tha se PS synon të deformojë të gjithë sistemin zgjedhor.
“Shkelja e marrëveshjeve çon në mosbesim të palëve në politikë dhe të opinionit publik mbi produktin. Ne po kërkojmë respektimin e firmës së përfaqësuesve të PD kur është pranuar që sistemi zgjedhor nuk ka dakordësi për t’u ndryshuar. E dëmtuan në mënyrë të njëanshme duke hequr mundësinë e koalicioneve, duke gjymtuar këtë element, ata kanë deformuar votën e shqiptarëve edhe në vitin 2013. LSI në atë kohë, në 2021-in mori 108 mijë vota dhe 4 mandate, me 30 mijë vota PSD mori 3 mandate. Me një diferencë të madhe votash, vetëm një mandat diferencë. E gjithë vota e diasporës do kanalizohet te ky sistem i njëanshëm, i deformuar zgjedhor. Zgjedhësit shqiptarë të kenë të drejtën e listës së hapur zgjedhore, të zgjedhin ato cilët kandidatë të futen në Parlamentin e Shqipërisë. Është dakordësuar që nga viti 2003, është mbështetur edhe në deklaratat e ndërkombëtarëve.”
Ai vuri theksin te marrëveshja konsensuale e 5 Qershorit 2020, ndërkohë që Damian Gjiknuri deklaroi më herët se “kjo datë nuk përbën më kusht për mazhoritarët”.
“Koalicioni të futet si alternativë në Kodin Zgjedhor dhe partitë politikë të zgjedhin opsionin që duan. Kërkuam që të shprehet dhe OSBE/ODIHR-i në mënyrë që të garantojmë barazi vote.”
I pyetur se kur do arrihet dakordësia për miratimin e votës së diasporës, demokrati nuk dha një përgjigje konkrete.