Është padyshim Bajerni i Mynihut skuadra e vitit, verdikt që e japin trofetë dhe shifrat. Në 48 ndeshje të këtij viti kalendarik, Bajerni ka fituar 42, pesë barazime dhe vetëm një humbje, ajo e pësuar në 27 shtator, 4-1 në shtëpinë e Hoffenheim.
Tre ditë më parë bavarezët kishin ngritur Superkupën Europiane, tre ditë më pas, pasuruan historinë edhe me një tjetër Superkupë Gjermanie, të shtuara këto në triumfin e trefishtë, që në Gjermani askush nuk e quan tripletrë pasi nuk huazojnë terma spanjollë. Bashkë me Championsin, Kampionatin dhe Kupën bëhen 5 tituj në 2020, gjithçka që mund të fitonin, pa harruar që në shkurt do të kenë shansin për të fituar edhe Botërorin e klubeve.
“Të punosh me këtë skuadër është një argëtim për ne trajnerët, mund vetëm të falënderojmë”, deklaroi Hansi Flick pas suksesit në Leverkusen, të shënuar në minutën e fundit të një ndeshje që mbyllte vitin, emblemë e një mentaliteti.
Flick brenda 294 ditësh u bë nga asistenti i Niko Kovaç në kampion Europe dhe Championsi erdhi pas Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë. Megjithatë nuk u zgjodh trajneri më i mirë i 2020 nga juria e çmimit të Fifa-s. E parakaloi në mënyrë befasuese Jurgen Klopp që e fitoi falë preferencave të kapitenëve dhe trajnerëve të kombëtareve të gjithë botës, ndërsa për gazetarët dhe tifozët numri një ishte gjermani i Bajernit.
Pas një çmimi që shpesh nuk pasqyron vlerat e arritjeve të një viti, por ato të karrierës dhe imazhit, fshihet një pyetje që në Gjermani shpaloset shpesh: A është shumë e lehtë të fitohet me Bajernin? Përgjigja më e mirë është Champions League e gushtit. E vërtetë në Bundesliga 8 tituj radhazi shpesh nuk kanë patur shumë konkurrencë, por kurora europiane ngre kampionatin dhe klubin më të mirë në vlerat që meritojnë.
Robert Lewandowski ishte “The Best” për FIFA-n, Manuel Neuer u zgjodh portieri më i mirë në botë, hegjemonia në dominimin sportivo-ekonomik u rrit në vitin e vështirësive. Nëse suksesi i vazhdueshëm mund të shkaktojë mendjemadhësi, disa lojtarë në dhomat e zhveshjes janë të aftë të kenë ndërgjegjen e dikujt që mendon për shtresat sociale, diçka e pazakontë për një pjesëtar të skuadrës më të pasur.
Kur shpërtheu pandemia, Leon Goretzka dhe Joshua Kimich nisën një mbledhje fondesh të quajtur WeKickCorona, t’i japim një shkelm virusit. Deri tani kanë mbledhur mbi 5 milionë euro, të përdorura për të mbështetur 570 projekte të ndihmës shëndetësore dhe financiare për persona dhe shoqata. Paratë dhe bamirësia mënjanë, Goretzka në një intervistë të Krishtlindjeve për “Die Welt”, foli për takimin e tij këtë vit me Markot Friendlander, 99-vjeçare e mbijetuar e Holokasutit, duke u deklaruar me tone të fortë kundër AFD, partisë nacionalistë të të djathtës.
“Është një turp për Gjermaninë”. U sulmua nga dikush në rrjetet sociale, por në favor të tij u krijua një lëvizje me hashtaghun, “Thuaje si Goretzka”.
Bajerni bën lajm në çdo rast, lufton racizmin duke u pozicionuar kundër sulmeve të lojtarëve me ngjyrë, e megjithatë edhe në 2020 Bajerni ka fituar jo vetëm tituj por edhe para, ka faturuar rreth 52 milionë euro, që duke i zbritur 42 milionë të taksave mbeten në diçka më pak se 9.8 milionë euro. Gjithsesi fakti që edhe një vit i tillë mbyllet me bilanc pozitiv është diçka pozitive deklaroi Karl-Heinz Rummenige.
Vështirësitë e këtij viti nuk shtynë inaugurimin e Bayern World me qendër në Mynih, në fillim të dhjetorit, një pallat me një dyqan për tifozët, dy restorante dhe një hotel butik me 30 dhoma. E ardhmja ndërtohet edhe kështu, për të kërkuar që të shkohet përtej pandemisë, vlejnë fjalët e Robert Lewandowskit, 45 gola të shënuar në 149 në total nga Bajerni në 2020: “Ne duam gjithmonë më shumë”.