Nga Mero Baze
Lulzim Basha ka një sjellje prej adoleshenti, kur flet për kundërshtarin e vet, Edi Rama. Në daljen e tij të fundit, shpjegoi se si e kishte gjetur mekanizmin që do të rrëzonte Edi Ramën. Kishte disa informacione për të, dhe me ato do ta rrëzonte. Biles për ta bërë të besueshme që kjo skemë do funksionojë, tha se kështu kishte rrëzuar dhe Saimir Tahirin.
Pak a shumë si ata kalamajtë e vegjël në lagje, pasi rivali i tyre i rreh kudo që i gjen, ata hipin në majë të ballkonit dhe thonë: “Ta rregulloj unë qejfin ty, e di unë çdo të bëj herën tjetër”.
Dhe kjo, e thënë pikërisht në ditën që do paralajmëronte protestën e radhës së opozitës.
Unë nuk e di kë opozitar ngazëllen kjo qasje e kryetarit të tyre, apo kush ndjehet i sigurtë se atë që nuk e mund dot në zgjedhje, do ta mundësh duke e trembur me teori konspirative. Por di se Lulzim Basha ka nevojë të rritet dhe të kuptojë disa gjëra elementare në përballjen politike.
E para, kjo nuk është një betejë personale mes Edi Ramës dhe Bashës, por mes mbështetësve të Edi Ramës dhe Bashës, të cilët vendosin për fatin e tyre. Dhe Lulzim Basha nuk duhet të lodhet të trembë Ramën, por duhet të trimërojë të vetët dhe t’i shtojë ata. Me stilin që po përdor “se ai di një gjë që do t’ua thotë më vonë”, d.m.th pas datës 27, ai thjesht forcon më shumë profilin e tij si një lider që e hedh lumin duke gënjyer.
Vetëm një adoleshent operon ndaj rivalëve të tij me mjete të tilla. Vetëm ata thonë: “ta rregulloj unë qejfin”, “do t’i them vëllait të madh”, “kam ca shokë në lagjen tjetër” etj, shprehje shpëtuese nga rrethanat e një njeriu të pafuqishëm.
Këto janë sjellje të një njeriu që nuk ka çfarë t’i bëjë rivalit. Se ai që ka çfarë t’i bëjë, dhe sidomos ai që është i bindur se populli është kundër rivalit të tij, nuk ka më punë me rivalin, por me popullin që duhet ta drejtojë kundër tij.
Në politikë nuk ka asgjë që ruhet për t’u thënë më vonë, nëse është diçka që ngjall zemërim. Pasi zemërimi popullor nuk prodhohet në epruvetë dhe nuk është lindje e planifikuar, në zyrën e Lulzimit. Ai prodhohet në rrugë dhe sheshe nga fakte që ata shikojnë dhe besojnë.
Lulzim Basha ngjan si një lider i dorëzuar, që nuk ka më besim tek protesta, që nuk ka më besim tek partia e vet, që nuk bashkon dot aleatët me njëri-tjetrin se i ka gënjyer të gjithë, që është në konflikt real me bashkësinë ndërkombëtare lidhur me reformën në drejtësi, dhe po mendon se i vetmi mekanizëm me të cilin mund t’i mbajë me shpresa opozitarët, është një gjë jopolitike, që ai shpreson se do funksionojë.
Praktikisht është duke premtuar se do ta përmbys qeverinë me ndihmën e shërbimeve inteligjente (që nuk dihet kë ka me vete). Dakord jemi dhe me këtë, sikur ta bëjë, por çfarë i duhet populli në protesta, kur e paska zgjidhur këtë punë?
Mundim i kot të presësh logjikë nga një adoleshent!