Çadra e demokratëve në bulevardin përpara selisë së qeverisë duket se po zbehet dita ditës. Pavarësisht ahengut me këngë e me valle, numri i protestuesve është duke u ulur ndjeshëm duke qëndruar vetëm disa të cilët janë drejtues të strukturave të PD.
Mungesa e një përgjigje nga LSI duket se ka ulur entuziazmin tek demokratët që i kishin varur jo pak shpresat te një krisje Rama-Meta.
Një lëvizje e tillë taktike nga ana e opozitës kishte për qëllim që të përdorte inercinë e protestës si fitil ndezës për pasiguritë e Ilir Metës, në lidhje me vijimësinë e koalicionit me Ramën.
Por një gjë e tillë, të paktën zyrtarisht nuk ka ndodhur.
Por në politikë nuk luajnë vetëm dy persona, dhe pikërisht ditën e djeshme zëdhënësja e Komisionit Europian është shprehur se vendi i opozitës është parlamenti, një fjali kjo e përsëritur aq herë sa dhe është shkelur në këto vite nga opozita.
Në kundërpërgjigje, kryedemokrati ka bërë një tjetër lëvizje, duke etiketuar ekzistencën e “dy Brukselëve”, njërit që është pro luftës kundër krimit dhe kanabisit, dhe tjetrit që i injoron këto fenomene.
Por sikur të mos mjaftonte, Basha ka shtuar se opozita mbështetet nga Partitë Popullore Europiane, duke mos ditur se disa orë më vonë, vetë një pjesëtar i këtij grupimi, Eduard Kukan, do të përsëriste të njëjtin mesazh. Shkoni në parlament, ka punë për të bërë.
Vijës së Brukselit i ka qëndruar edhe europarlamentari Fleckenstein i cili ka ardhur në Tiranë dhe në mënyrë demonstrative, ka kërkuar takimin me Bashën në zyrën e tij dhe jo në çadrën e protestës.
Thënë me fjalë të tjera, protesta nisi si një tentativë për të goditur nga brenda koalicionin qeverisës, por momentalisht ndodhet në një kurs përplasje me Brukselin.
Pavarësisht pozicioneve të BE-së, ajo që nuk ka ndryshuar kurrë dhe nuk do të ndryshojë, është pikërisht bindja se konfliktet politike zgjidhen vetëm përmes veprimeve institucionale. Europarlamentari Knut Fleckenstein ka ardhur në Tiranë jo për të negociuar një marrëveshje mes palëve, por për të vëzhguar pikërisht ecurinë normale politike, sidomos në kushtet kur Vettingu është në axhendën parlamentare të kësaj jave.
Duket se shinat e trenit të PD-së drejtë Brukselit janë minuar dhe marrëdhëniet e kësaj partie me Bashkimin Europian janë në një situatë të acartë e cila mund të cilësohet si një nga më të vështira të demokratëve prej shumë vitesh.
Sa i përket marrëdhënieve me SHBA, ato tashmë dihen, ambasadori e ka hequr PD fare nga axhenda e tij vizitat në SHQUP. / American Eye