Nga Tom McTague*
Kur dikush sheh pasojat e sabotimit anglo-amerikan të marrëveshjes mbi blerjen e disa nëndetëseve midis Francës dhe Australisë, mund t’i falet nëse arrin në përfundimin se Londra dhe Parisi janë të kundërta në çdo lloj aspekti: qoftë në personalitetet e udhëheqësve të tyre, strategjitë e mëdha, modelet ekonomike apo ato shoqërore.
Por ironia është se grindja mbi paktin e ri të mbrojtjes Australi-Britani-SHBA, AUKUS, ka zbuluar sesa janë të ngjashme janë këto 2 vende në thelbin e tyre. Për Parisin, ajo që ndodhi me marrëveshjen mbi nëndetëset, është dëshmi e “oportunizmit të përhershëm” të Londrës, dhe preferencës sa saj ndaj statusit të ri në një partneritet me Shtetet e Bashkuara mbi çdo lloj raporti me Evropën.
Duket sikur nuk ka ndryshuar asgjë që nga koha kur Winston Churchill tha i zhgënjyer nga udhëheqësi francez Charles de Gaulle në prag të Ditës së D-së (zbarkimit aleat në Normandi): nëse Britania do të detyrohej ndonjëherë që të zgjidhte midis Evropës dhe deteve të hapura, ajo do të zgjidhte gjithmonë këto të fundit.
Sipas pikëpamjes franceze, projekti i Boris Johnson për një “Britani globale” jashtë Bashkimit Evropian, është thjesht shprehja më e fundit e këtij instinkti të thellë kombëtar. Ndërkohë nga ana tjetër për Britaninë, reagimi i ashpër i Parisit ndaj AUKUS, vetëm sa nxjerr në pah shovinizmin e fshehur anti-amerikan të Francës, fiksimin e saj pas madhështisë së humbur prej kohësh, dhe strategjisë së saj cinike për ta përdorur BE-në si një mjet për realizimin e qëllimit të saj kryesor: rikthimit në skenën globale si një fuqi me peshë.
E megjithatë larg nga të qenit diametralisht të kundërta, Franca dhe Britania janë më të ngjashme se sa ndoshta asnjë dyshe vendesh të tjera në botë.
Jo vetëm për sa i përket popullsisë, pasurisë, së kaluarës perandorake, shtrirjes globale dhe traditës demokratike, por edhe elementëve më të thella:ndjenjës së jashtëzakonshmërisë, frikës nga rënia, instinktit për pavarësinë kombëtare, dëshirës për t’u respektuar gjithmonë nga të tjerët, dhe zemërimin ndaj fuqisë në rritje të të tjerëve, pavarësisht nëse kjo është SHBA-ja, Gjermania apo Kina.
Londra dhe Parisi, mund të kenë zgjedhur strategji të ndryshme. Por paralelet midis këtyre dy kombeve janë të dukshme. Secili prej tyre duket se vepron si një lloj pasqyre shtrembëruese për tjetrin. Ndërsa Franca nuk duket askund aq e shqetësuar për Britaninë sa duket Britania për Francën, egërsia e kritikave të hedhura të Parisit javën e kaluar, tregonte shumë mbi mungesën e saj të dukshme të vetë-reflektimit.
Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane në qeverinë franceze, Clément Beaune tha se në vend që të ishte një shembull i “Britanisë Globale”, pjesëmarrja e Londrës në AUKUS sinjalizoi “një rikthim në vathën e Amerikës, dhe një formë të vasalizimit të pranuar”. Ndërkohë Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves le Drian, tha se Britania nuk ishte gjë tjetër veçse një “rrotë e pestë” në një projekt amerikan. Ndërkohë për Britaninë, AUKUS, ofron një hap konkret për të thelluar lidhjet e saj në rajon, duke i hapur rrugën pasjes së marrëdhënieve më të ngushta me Japoninë, Indinë dhe vendet e tjerët, dhe e ndihmon Londrën në rrugën drejt anëtarësimit në marrëveshjen gjigante të tregtisë së Partneritetit Trans-Paqësorit.
Gjithsesi kritika e francezëve është pjesërisht e vërtetë. Britania ka pranuar pozicionin e partnerit të ri të SHBA-së, me koston e ndikimit të saj zvogëluar në Evropë. Ndonëse Britania nuk do ta quajë kurrë në publik veten si një “fuqi e mesme”, strategjia e saj e rishikuar e fundit i politikës së jashtme dhe asaj ekonomike, bazohej shumë tek ky supozim.
Por a është vërtet Franca kaq ndryshe? Nga të gjitha vendet e rangut të mesëm, ajo është ndoshta i vetmi – përveç Britanisë – që është në gjendje të pretendojë në mënyrë të arsyeshme se është një “fuqi me spektër të plotë”, pra që zotëron një ushtri efektive dhe të armatosur me armë bërthamore, një rrjet të gjerë diplomatik, një shërbim sekret kompetent, dhe që ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB -së.
Lidhur me kritikat ndaj pranimit të një “statusi të ri” në një partneritet, tingëllon paska ironike që Franca t’i japë leksione Britanisë, duke pasur parasysh se 10 vitet e fundit kanë parë shfaqjen e Gjermanisë si fuqia dominuese e BE -së. Gjermania e udhëheq aktualisht bllokun përmes fuqisë së saj ekonomike, gjë që do të thotë se Berlini është në gjendje të krijojë një rrugë diplomatike edhe më të pavarur sesa Parisi.
Pavarësisht nëse janë të drejta apo jo, kritikat e Francës ndaj Britanisë zbulojnë sa pasiguritë e Francës, aq sa edhe kritikat e Britanisë ndaj Francës zbulojnë pasiguritë e veta, duke ilustruar sfidën më të gjerë me të cilën përballen shumë vende më të vogla në shekullin XXI. Nga njëra anë, ato nuk janë në gjendje të ngrihen në nivelin e një lideri të vërtetë global, në një botë që ka të ngjarë të dominohet për dekadat e ardhshme nga SHBA-ja dhe Kina, por nga ana tjetër janë të paafta për t’u pajtuar me nënshtrimin.
Natyrisht, thënë këto midis Britanisë dhe Francës ka edhe dallime reale. Megjithëse është shumë e thjeshtë të pretendosh se e para është individualiste dhe anglo-saksone, dhe e dyta kolektive dhe kontinentale, Mbretëria e Bashkuar ka për shembull, një sistem të kujdesit shëndetësor të socializuar, që e dominon jetën e saj të përditshme.
Ndërkohë shteti francez, është dukshëm më i madh sesa i britanik. Ai ofron mbrojtje më të madhe për punëtorët, por ka gati dyfishin e shkallës së papunësisë. Franca është trashëgimtare e një historie të madhe, e dalluar nga (edhe pse e ndërthurur thellë) ajo e fqinjit të saj përtej kanalit të La Manshit.
Për Francën, kjo histori është revolucionare, gjithë-pushtuese, e jashtëzakonshme, por gjithsesi edhe me njolla të errëta, siç ishte bashkëpunimin e turpshëm me gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë kujtesa kolektive e Britanisë është e veçantë, por ajo përdoret shpesh kundër francezëve.
Në shumë aspekte, pikëpamjet botërore të Britanisë dhe Francës u formësuan nga mënyra se si të dolën të dyja vendet nga Lufta e Dytë Botërore, njëra duke u mbështetur gjithnjë e më shumë në “marrëdhëniet speciale” anglo-amerikane, tjetra duke synuar të mbronte pavarësinë e saj kombëtare dhe veçantinë.
Dallimi është se ndërsa Britania doli nga lufta heroike, por u shpërbë si perandori, teksa Franca duhej të përballej me trashëgiminë e bashkëpunimit me nazistët. Julian Jackson shkruan në biografinë e tij mbi Charles de Gaulle “Një ide e caktuar mbi Francën”, se arritja e madhe e udhëheqësit francez, ishte krijimi i “mitit të nevojshëm”, sipas të cilit Franca ishte bashkuar në rezistencë kundër pushtimit nazist nën udhëheqjen e tij, dhe e çliroi vetë veten.
Kjo histori ishte e domosdoshme që Franca të rifitonte dinjitetin e saj. Në kohë paqeje, Golizmi u bë shtysa për të rikthyer madhështinë e vendit:tërheqja nga komanda ushtarake e NATO-s, ndërtimi i arsenalit të bërthamor, dhe përpjekja për të zhvilluar një sferë alternative të ndikimit evropian ndaj fuqisë amerikane dhe asaj ruse.
Në politikën, perspektivën dhe strategjinë e saj në politikën e jashtme, ekziston një vazhdimësi e dukshme me të kaluarën. Sot, qëllimi i deklaruar i Macron është të ndërtojë më shumë “autonomi strategjike” evropiane, në mënyrë që BE-ja të jetë në gjendje të veprojë në mënyrë të pavarur nga SHBA-ja.
Ai ka folur për “vdekjen” e NATO-s, dhe dëshiron që Evropa të hartojë politika ndaj Rusisë dhe Kinës, të cilat janë të ndryshme nga ato të Amerikës. Vazhdimësia e qasjes së Britanisë është qartazi e ngjashme. Duke hyrë në një partneritet të ri me SHBA-në, gjoja për të projektuar më mirë fuqinë e saj.
Për Johnson, shfaqja e një aleance anglishtfolëse është një justifikim i Brexit, Britanisë Globale dhe i jashtëzakonshmërisë britanike në përgjithësi. Ai nuk është udhëheqësi i parë britanik që admiron parimet e Golizmit francez. Kur u pyet nëse e konsideronte De Gaulle si një njeri të madh, Churchill u përgjigj: “Ai është egoist, arrogant, beson se është qendra e botës… Por ju keni shumë të drejtë. Ai është një njeri i madh”.
Të dyja vendet mund të kenë adoptuar strategji të ndryshme për të ruajtur fuqinë, rëndësinë dhe pavarësinë e tyre, por që të dyja po bëjnë përpjekje të mëdha për të mbetur në qendër të vëmendjes. Për Parisin, ky është vizioni i një France Globale të fuqizuar përmes BE-së; për Londrën, ai i një Britanie Globale jashtë BE-së. Prandaj është e vështirë të shmanget përfundimi se ka aq shumë ngjashmëri midis Britanisë dhe Francës, po aq sa ka edhe dallime.
*Marrë me shkurtime nga The Atlantic