Mbretëria e Bashkuar është vendi me numrin më të lartë të viktimave nga COVID-19 në Europë me 29.427 viktima, duke ia kaluar kështu edhe Italisë e cila numëron 29.315 fatalitete.
Teksa shifrat e prezantuara nga shtetet janë një tregues për goditjen që secili shtet ka marrë nga virusi, krahasimet janë të vështira për t’u bërë pasi shtetet kanë përdorur metoda të ndryshme në matjen e të vdekurve. Disa prej tyre kanë regjistruar vetëm personat që kanë humbur jetën në spital, ndërsa disa shtete të tjera kanë përfshirë edhe viktimat në shtëpitë e të moshuarve.
“Ne po publikojmë të dhëna ku përfshihen viktimat në të gjitha rrethanat dhe jo të gjithë shtetet po e bëjnë këtë”, ka thënë ministri i Jashtëm i Britanisë Dominic Raab, “ndaj nuk jam i sigurt nëse krahasimet në shkallë botërore janë të sakta pasi nuk e dimë nëse ata përdorin të njëjtën njësi matjeje”.
Ndërsa Profesor Martin McKee nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër ka thënë për Euronews se sipas tij arsyeja përse Mbretëria e Bashkuar ka një shifër kaq të lartë viktimash është pasi vonoi në marrjen e masave izoluese.
“Në fakt është shumë e thjeshtë”, thotë Profesor Mckee, “nëse krahasojmë vendet që ndërmorën masa që në fillim të shfaqjes së virusit është e qartë se ato janë shtetet të cilat ia dolën të frenojnë epideminë”.
Ai gjithashtu ka shpjeguar dhe rëndësinë e karantinës për të frenuar transmetimin e sëmundjes dhe lidhjen midis mbajtjes së normës së infektimit, e njohur si faktori R, në një kuotë të ulët.
“Një person infekton 2.5 deri në 3 persona. Duke llogaritur që kjo mund të ndodhë çdo ditë, ata mund të infektojnë nga 3 në 9, në 27 e deri në 20 mijë në punë 10 ditësh”.
“Ndaj edhe kur flasim për pak ditë, ato mund të bëjnë një diferencë të madhe”.