Memaliaj, është qyteti i heronjve të punës dhe të luftës dhe dy prej tyre, janë edhe çifti veteran, Memet dhe Rasie Thanasi.
Memet Thanasi u lind më 5 qershor të vitit 1910, në fshatin Bençë të Tepelenës, me prindër, Pëllumb dhe Kushulla Thanasi. Familja Thanasi kishte gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. Memeti ishte djali i parë, ndërsa i dyti quhej, Share Thanasi. Dy vëllezërit e tjerë, ishin më të vegjël.
Memeti dhe Share u rritën me një frymë atdhetare, patriotike dhe anti-nazifashiste dhe vendosën që në moshë të re, t’i bashkohen LANÇ-re.
Në vitin 1938, krijon familje, me Rasie Selimi, e cila ka po të njëjtën vendlindje, Bënçën.
Ishte korriku të vitit 1943, kur Memeti del partizan dhe radhitet përkrah luftëtarëve të Brigadës së I-rë Sulmuese, ndërsa Share bëhet pjesë e Brigadës së VI-të Sulmuese.
Përveç shumë betejave, partizani Memet Thanasi, mori pjesë edhe në atë të çlirimit të Tiranës.
Mbas lufte, i vëllai i tij, Share, u vesh oficer në Tiranë. Më pas shkoi në Rusi dhe mbaroi shkollën për oficer. Pasi u kthye nga Rusia, ngeli me punë oficer.
Ndërsa Memeti u gradua oficer në vitin 1946 dhe fillon punë në Tirane. U tërhoq nga familja, pasi bashkëshortja e tij, Rasie Selimi (Thanasi), shkoi për pak kohë dhe i kërkoi që të kthehej në Bënçë.
Pasi kthehet në vendlindje, kaloi për pak kohë, Kryetar Këshilli të fshatit Bënçë dhe pastaj punoi si kasap, në dyqanin e mishit të Tepelenës.
Në vitin 1953, vendoset me familjen e tij në qytetin e Memaliajt dhe punon si minator dhe armator. Për arsye shëndetësore e kaluan me punë në repartet ndihmëse të minierës, siç ishte ajo e ventilimit (ajrimit).
Si shumë ish-partizanë të tjerë, edhe veterani Memeti Thanasi, ishte bërë anëtar partie, por më vonë u përjashtua nga partia për mungesë sinqeriteti. Në të vërtetë atë e spiunuan, pasi ai kishte punuar xhandar në qeverinë e Zogut, një punë si gjithë të tjerët, por kur i kishin dhënë formën që të plotësonte, për t’u bërë anëtar partie, nuk kishte pyetje të tillë. Edhe sikur, nuk kish të keqe, pasi ai i dha i luftës bashkë me vëllanë e tij dhe më vonë, bashkëshorten dhe kunatin e tij, pa harruar edhe të nënës së tij.
Veterani luftës dhe i minierës, Memet Thanasi, ndërroi jetë më 8 janar të vitit 1972.
Rasie Selimi (Thanasi), u lind më 2 shkurt të vitit 1920, në Bënçë, me prindër, Mero dhe Sulltana.
Ngeli jetime në lindje pasi i vdiq nëna e saj. Bashkë me Memet Thanasin, krijuan familje në vitin, 1938 dhe kishin 6 fëmijë. Pëllumb (emrin e gjyshit, por nuk e gëzoi dot), Bektash, Lavdije, Xhelil (Dhori), Donika, një nga vëllezërit ndërroi jetë në moshën 6-vjeç, ndërsa nga motrat, dy prej tyre. Kishte dëshminë si veterane pasi ka ndihmuar lëvizjen, ku furnizonte partizanët me ushqime dhe veshmbathje prej leshi. Ishte e organizuar me një celulë të fuqishme të grave të Bençës ku kryetare ishte vjehrra e saj, Kushulla Thanasi. Duke çuar ndihmat në mal rrëshqiti dhe vrau këmben dhe ne rastin e dytë po në të njëjtën këmbë. Kjo ndodhi kur ishte me dy gra të tjera që u rrethuan nga gjermanët dhe kjo dhe çau rrethimin me një tjetër, ndërsa ajo që u kap ishte Fato Berberi që ishte me uniforme partizanesh dhe e çuan ne Gjirokastër ku e pushkatuan.
Veterania e LANÇ-re, Rasmie Thanasi, ndërroi jetë, më 17 korrik të vitit 2013.
Në vijim, po i dedikoj disa rreshta edhe të vëllait të saj, Mahmut Selimi, i cili ka marrë pjesë në LANÇ, në radhët e Brigadës së I-rë sulmuese. Luftoi për çlirimin e Tiranës edhe përkrahë me Memet Thanasin. Veterani, Mahmut Selimi, përgjatë kësaj beteje, mori shtatë plumba, pasi luftoi për të mbrojtur jetën e partizane e të tjerë. Nga këto plagë mezi u kthye në jetë.
Pas çlirimit të vendit, mbaroi shkollën ushtarake në Bashkimin Sovjetik dhe shkoi me punë në Tiranë dhe më vonë, në Korçë. Në moshén 80 vjeç, e bastisën (1995-96) disa të paudhë, për t’i marr kursimet e tij dhe nga goditjet me mjete të forta, mori plagë të rënda. Dha shpirt, në shtëpinë e nipit të tij, Bektash Thanasi, në Memaliaj.
Familja e Rasmie dhe Memet Thanasit, rriti dhe edukoi të tre fëmijët e tyre të mrekullueshëm, me dashuri dhe atdhedashuri, duke dhënë edhe ata kontributin e tyre në fusha të ndryshme, për zhvillimin e vendit. Bektashi, punoi në minierë si makinist duke bërë të mundur ulje-ngritjet e anxhesorëve, nga sipërfaqja në thellësi të nëntokës dhe anasjelltas, për transportonin e punëtorëve dhe të vagonave të qymyrit. Një punë kjo, me shumë përgjegjësi të lartë, të cilën e kreu me sukses. Gjithashtu i njohur nga memaliotët, si një ndër mjeshtrat e mëdhenj të lojtarëve të bilardos, në qytetin tonë dhe më gjerë. Lavdija dhe Dhori, kanë punuar një jetë të tërë me përkushtim, në fushën e arsimit, duke edukuar dhe përgatitur breza me radhë, të cilët edhe ata vazhdojnë të japin kontributin e tyre, në fusha të ndryshe të jetës, jo vetëm në vend, por edhe nëpër botë. Dhori gjithashtu, shquhet për kontributin e tij, në letërsinë shqiptare, jo vetëm në vend, por edhe në atë të diasporës në USA..
Nuk duhet harruar edhe kontributi i të gjithë nipërve dhe mbesave të çiftit veteran, Rasie dhe Memet Thanasit, të cilët kanë dhënë në fusha të ndryshme. Midis tyre, po përmend dy prej tyre, të cilët kanë spikatur dhe ndikuar më shumë tek bashkëmoshatarët e tyre, që më fillimet e trazicionit të këtij sistemi demokratik në Shqipëri. Dy nipërit janë, vëllezërit, Fotjon dhe Orsen Thanasi, të cilët kur u kthyen nga Greqia, ishin nga të parët që hapën një emision radiofonik, kushtuar muzikës metal, pasi ata vinin me njohuri për këtë rrymë muzike. Të dy ishin instrumentista dhe kompozonin këngë, sidomos Fotjoni. Orsoni, më vonë kishte programin e tij tek Radio Kontakt.
Kontributi dhe heroizmi i çiftit luftëtar, Rasie dhe Memet Thanasi, kanë bërë krenar dhe do të bëjnë ndër breza, jo vetëm pasardhësit e tyre, por edhe neve si bashkëqytetarë, pasi kemi patur fatin që të jetonim në të njëjtin qytet me këta heronj, të cilët nuk folën asnjëherë për kontributin e tyre, pasi e ndienin si një detyrim hyjnorë ndaj atdheut, kombit dhe bashkatdhetarëve të tyre!
Asnjëherë nuk është vonë, për t’u kthyer në kohë dhe si e tillë, Këshilli Bashkiak i Memaliajt, duhet t’i vlerësojnë me çmimin e përbashkët ”Çifti Qytetar Nderi”, pasi këtë pagëzim ata e kanë fituar, që në momentet e para të rinisë së tyre, kur u përfshinë në radhët e LANÇ.
Lavdi dhe mirënjohje të përjetshme, për këtë çift heronjsh dhe brezat e tyre, që luftuan dhe dhanë jetën e tyre, për çlirimin e vendit dhe begatinë ndër breza brezave!
Edmond Ismailati
Dhjetor 2024