Humbja e Kamala Harris na tregon se roli i influencuesve të famshëm në politikë nuk ka të njëjtin ndikim si në industrinë e modës, muzikës apo argëtimit. Nëse për produktet e konsumit dhe idetë kulturore, fjala e një ylli si Taylor Swift apo Beyoncé mund të sjellë “shitje” të sigurta, kur bëhet fjalë për politikë, ndikimi i tyre është i kufizuar.
Në fushatën presidenciale të vitit 2024, shumë yje të njohur, si Taylor Swift, Beyoncé, Charli XCX dhe George Clooney, u shprehën hapur në mbështetje të Kamala Harris, duke e përfshirë emrin e saj në një kontekst të argëtimit dhe kulturës pop. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të tyre dhe fuqisë së influencës së tyre në kulturën e përditshme, ndikimi në politikë mbeti i kufizuar. Arsyeja qëndron në faktin se ndjekësit e yjeve të famshëm nuk janë një masë homogjene dhe motivet e tyre për të votuar janë të bazuara në përkatësi ideologjike dhe besime personale. Pra, sado që mund të duam muzikën e një këngëtareje, kur bëhet fjalë për vendime kaq të rëndësishme si votimi, njerëzit zgjedhin atë që i prek interesat personalë.
Charli XCX, me postimin e saj “Kamala IS Brat” në Twitter, u përpoq të shfrytëzojë suksesin e albumit të saj më të ri “Brat” për të ndikuar në politikë, duke përdorur një gjuhë joformale për të portretizuar Harris si një figurë “rebele”. Por, në thelb, ky postim “i qëlluar” për humor, nuk arriti të krijojë një ndikim dhe nuk shkaktoi asgjë më shumë se vetëm disa të qeshura. Këto ndërhyrje zakonisht ndikojnë ata që tashmë e përkrahin kandidatin, por rrallë e ndryshojnë mendimin e atyre që janë të paanshëm ose mbështesin anën tjetër. Pra, tek një votues i Trump, një postim “Kamala is brat” nuk ka asnjë ndikim (përveç disa të qeshurave në rast se e kuptojnë).
Shumë votues kritikuan përfshirjen e influencuesve të famshëm në politikë, duke i parë si të shkëputur nga realiteti i përditshëm. Për shumë votues, personazhet e famshme dhe “elitat” e Hollywood-it përfaqësojnë një botë të largët dhe të shkëputur nga shqetësimet e përditshme të jetës amerikane. Ishte pikërisht kjo arsyeja që kandidatura e Kamala Harris, e cila kishte përkrahje masive nga yje të ndryshëm, u perceptua si e privilegjuar dhe e largët. Kritika nga individë si Bethenny Frankel, e cila vuri në dukje se mbështetja e Harris nga yjet ishte një strategji e dështuar për të arritur te publiku, konfirmoi skepticizmin ndaj kësaj përfshirjeje.
Frankel shprehu hapur mendimin e saj se amerikanët nuk janë të interesuar për faktin se kush nga të famshmit mbështet ndonjë kandidat, pasi ata janë të interesuar më shumë për çështjet e përditshme që ndikojnë jetën e tyre, si ekonomia dhe siguria.
Në të dyja fushatat, u përdorën momente kyçe për të ngritur figurat e kandidatëve dhe për të krijuar një narrativë tërheqëse për votuesit. Kamala Harris u përpoq të pozicionohej si një figurë e re dhe e freskët në politikë, ndërkohë që Donald Trump përdori tema që përputheshin me bazën e tij elektorale, si imigracioni dhe ruajtja e rendit publik.
Ky paralelizim është bërë edhe në dy fotografitë që u konsideruan si më kryesoret në fushatë. Krahasimi midis Kamala Harris dhe Donald Trump, tregon kontraste të thella në imazhet që të dy kandidatët kanë zgjedhur për t’u prezantuar para publikut.
Kamala Harris shfaqet në kopertinën e “Vogue” për tetorin, ku ajo është fotografuar nga Annie Leibovitz, e veshur me një kostum të thjeshtë por elegant nga Gabriela Hearst dhe vathë Tiffany. Stili i saj në kopertinë nënkupton një qasje të përmbajtur dhe serioze në fushatën e saj. Edhe pse ajo diskutoi aty për tema të rëndësishme, shumë njerëz nuk e morën seriozisht vetëm për vendin ku ajo vendosi të shfaqej. Kamala Harris e përqendroi fushatën e saj tek idetë e barazisë dhe drejtësisë, duke krijuar një hapësirë të dukshme për të tërhequr mbështetës të rinj, veçanërisht gratë.
Nga ana tjetër, Donald Trump shfaqet në një kamion mbeturinash gjatë një ndalese në Wisconsin, i veshur me një jelek portokalli për sigurinë, një zgjedhje e cila nënkupton lidhjen e tij me punëtorët e thjeshtë dhe e cila sugjeron një kundërpërgjigje ndaj perceptimit të “elitizimit” të kundërshtarëve të tij. Kjo shfaqje simbolike erdhi pas komenteve të Joe Biden, të cilat u interpretuan si fyese për mbështetësit e Trump.
Të dy fotografitë ilustrojnë qartë qasjet e ndryshme të kandidatëve në imazhin publik: Harris përqendrohet te profesionalizmi dhe eleganca, ndërsa Trump përdor simbolika popullore për t’u lidhur me shtresat punëtore.
Ndërsa figurat publike si Swift dhe Beyoncé kanë ndikim të madh kulturor, efektiviteti i mbështetjes së tyre politike mbetet i kufizuar. Influenca e yjeve rrit ndërgjegjësimin për të votuar dhe numrin e votuesve të rinj, por rrallë ndryshon preferencat e votës. Familjet, grupet e afërta dhe përkatësitë politike të mëparshme kanë një ndikim më të madh mbi zgjedhjen e votuesve se sa influenca e një ylli.
Për më tepër, yjet shpesh shihen si më të interesuar për të rritur popullaritetin e tyre personal sesa për të krijuar një ndryshim real. Ky perceptim mund të jetë një pengesë për kandidatë si Harris, të cilët përfitojnë nga mbështetja e figurave të njohura. Kjo ka bërë shumë votues që t’i shohin fushatat me mbështetje të yjeve si një përpjekje të pashpresë për të arritur votuesit e zakonshëm.
Fushatat që përdorin “të famshëm” në politikë shpesh ngjallin më shumë idenë e ndarjes sesa bashkim dhe siç e tregoi edhe rasti i Harris, ndikimi i tyre është i kufizuar në grupet që tashmë kanë krijuar një bindje ndaj një kandidati të caktuar. Politikanët, megjithatë, do të vazhdojnë të kërkojnë mbështetjen e yjeve për shkak të perceptimit që kjo sjell – ndonëse në të vërtetë, nuk sjell domosdoshmërisht një fitore në kutinë e votimit.