Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, emrin e të cilit Zëri i Amerikës nuk e publikon tha në një konferencë virtuale audio për shtyp, se SHBA janë të përkushtuara të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të realizojnë potencialin e tyre të plotë ekonomik dhe demokratik, duke luftuar korrupsionin endemik.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të mbajnë përgjegjës ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor”, – tha ai.
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se veprimet e Shteteve të Bashkuara nuk kanë për qëllim të përçojnë një mesazh politik apo “të mbështesin ndonjë alternativë politike.”
“Ka të bëjë vetëm me korrupsionin dhe ka të bëjë me korrupsionin dhe kur ne e vërtetojmë dhe e identifikojmë atë. Dhe së dyti, ne do të vazhdojmë ta bëjmë të punojmë me qeveritë në rajon për t’u siguruar që edhe ato luftojnë korrupsionin brenda vendit”, tha ai.
Në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës lidhur me faktin se shpesh figurat e sanksionuara me profilin më të lartë janë ish-zyrtarë, zyrtari i lartë tha se kjo mund të ketë të bëjë me procesin e përcaktimit.
“Ne vëmë në shënjestër këdo që konstatohet në mënyrë të besueshme se është i përfshirë në korrupsion, kështu që ka një proces për një gjë të tillë. Dhe kjo është arsyeja pse disa njerëz pyesin pse ne e bëjmë këtë pasi njerëzit nuk janë më në pushtet, sepse ndonjëherë aq kohë na merr (për përcaktimin)”, tha ai.
“Nuk po vëmë në shënjestër vetëm njerëz që nuk janë aktualisht aktivë ose në pushtet. Është angazhimi ynë, i kësaj administrate për të luftuar korrupsionin kudo që e gjejmë”, – tha zyrtari.
Ai shtoi se pothuajse të gjitha veprimet politike destabilizuese që shohim në rajon janë disi të lidhura me korrupsionin.
“Ç’ka do të thotë që kur udhëheqësit politikë përdorin burimet publike dhe marrin vendime në poste publike për të çuar përpara qëllimet e tyre korruptive, kjo është në thelb destabilizuese”, – tha ai, raporton VOA.