Teksa një turiste ishte duke shijuar një akullore në sheshin e Shën Markut në Venecia, një pulëbardhë fluturoi me shpejtësi dhe ia rrëmbeu nga dora. Skena ishte argëtuese për njerëzit aty pranë, mirëpo shoqata e hotelierëve në Venecia është e shqetësuar se zogjtë janë bërë gjithnjë e më problematikë për turistët.
Shoqata po harton një plan për të shmangur pulëbardhat “agresive dhe të bezdisshme”, raporton The Guardian. Megjithatë, disa hotele po veprojnë që tani duke i pajisur klientët me pistoleta me ujë për të trembur zogjtë “plaçkitës”.
“Numri i madh i pulëbardhave, përveçse një prani agresive dhe e bezdisshme për njerëzit, paraqet një problem për shëndetin dhe higjienën, si dhe për ndërtesat dhe mjedisin,” tha Francesco Boemo, një ekspert i higjienës dhe mjedisit që koordinoi seminarin. “Ato janë, në fakt, specie e mbrojtur dhe nuk mund të eliminohen, siç bëhet, për shembull, me minjtë.”
Zgjidhjet e diskutuara përfshijnë punësimin e një gjuetari për të gjuajtur pulëbardhat ose për t’i penguar ato me një sistem të veçantë akustik ose aroma të pakëndshme (që nuk mund të perceptohen nga qeniet njerëzore).
“Sapo të ftuarit ngrihen, ndoshta për të shkuar në bufe, pulëbardhat hidhen mbi ushqimin dhe e marrin,” tha një hotelier, sipas procesverbalit të seminarit. “Jemi të detyruar të ndërhyjmë vazhdimisht për të ndërruar mbulesat e tavolinës, pjatat dhe gotat, të cilat shpesh i thyejnë. Disa klientë qeshin me to, por të tjerë zemërohen.”
Disa hotele kishin thirrur gjuetarë, por puna e tyre çdo ditë ishte kosto e shtrenjtë. E kështu dy hotele, Gritti Palace dhe Hotel Monaco & Grand Canal i kanë pajisur mysafirët me pistoleta uji – të gjitha portokalli – pasi pulëbardhave nuk u pëlqen ngjyra.
“Sapo shohin pistoletat, ato fluturojnë larg,” tha Paolo Lorenzini, nga Gritti Palace. “Ju as nuk keni nevojë t’i përdorni, thjesht duhet t’i mbani në tryezë”.