Qeveria italiane hyn në një krizë të thellë pasi ish-kryeministri, Matteo Renzi, tërhoqi dy ministrat e tij nga kabineti. Në mesin e një pandemie të rëndë, këtij shteti i shtohet edhe një problem tjetër. “Kriza është hapur prej muajsh dhe jo nga ne”, tha Renzi.
Kundërshtitë kryesore mes partisë së tij të vogël “ItaliaViva” dhe kryeministrit, Giuseppe Conte, qëndronin tek sigurimi i një huaje nga fondi i shpëtimit i eurozonës. Partia kryesore e koalicionit, Lëvizja 5 Yjet, dhe anëtarët e tjerë e kundërshtonin këtë ndërsa Renzi kushtëzoi mbështetjen ndaj ekzekutivit me këtë kërkesë.
Aktualisht, kryeministri Conte ka nisur përpjekjet për sigurimin e një partie tjetër për ta bërë pjesë e koalicionit, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme. Nuk përjashtohet as një marrëveshje me vetë Renzin në ditët në vazhdim, nga momenti që ish-kryeministri e ka bërë të qartë që vendi nuk mund të ketë një mazhorancë me një të djathtë si ajo e Salvinit.
Renzi deklaroi se gjithsesi vendi nuk do të shkojë në votime para vitit 2023, dhe se deputetët e tij do të vijojnë të votojnë nismat e qeverisë për sa i përket ndryshimit të buxhetit për shkak të masave anti-covid.