Një djalë maroken tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare teksa notonte në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, me disa shishe plastike të zbrazëta vendosur poshtë rrobave të tij dhe të lidhura me krahët.
Me lot në sy dhe i rraskapitur nga noti, i rrethuar me bidonë plastikë, adoleshenti iu afrua bregut spanjoll në enklavën e Ceutas.
Pasi kupton që nuk ka shumë mundësi, kur sheh rojet kufitare spanjolle, i riu nis të qajë në mes të detit…
Më pas ai përpiqet të dalë në breg duke kaluar shkëmbinjtë dhe vrapon për të kapërcyer murin që do ta çojë drejt lirisë, por kapet nga ushtarët.
Ushtari i cili kapi djalin, tregoi se i riu nuk kishte një familje në Marok dhe preferonte të vdiste para se të kthehej në vendin e tij. Duke qarë, ai u shoqërua në zonën e sigurisë mes dy vendeve, së bashku me migrantët e tjerë.
“Ai nuk donte të kthehej, nuk kishte familje në Marok, nuk i interesonte nëse do të vdiste nga i ftohti. Ai preferoi të vdiste, sesa të kthehej në Marok”, – u shpreh Rachid Mohamed al Messaoui, ushtari i cili përktheu kur djali u kap duke vrapuar në bregdet.
“Unë kurrë nuk kam dëgjuar diçka të tillë nga dikush kaq i ri,” – shtoi ushtari.
Deportimi i të miturve është i paligjshëm në Spanjë dhe ata qëndrojnë në një hapësirë të improvizuar për pritje në Ceuta.
Djali ishte një nga rreth 8.000 migrantët që notuan ose përdorën gardhin kufitar në enklavë këtë javë. Spanja ka vendosur trupa në Ceuta për të patrulluar kufirin me Marokun dhe e quajti situatën aktuale një krizë për Evropën.