Pak ditë më parë të gjitha mediat ndërkombëtare raportuan për helmimin e Roman Abramovich. Oligarku rus kishte marrë rolin e “negociatorit joformal” në bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës (sipas informacioneve, raporton Business Insider, me bekimin e Vladimir Putinit).
Duke qenë se “shënjestrat” e vërtetë të helmimit duket se kanë qenë diplomatët ukrainas, ndoshta Abramovich ishte thjesht në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Nga ana tjetër, e gjithë kjo mund të ketë qenë e qëllimshme. A donte Kremlini të paralajmëronte në këtë mënyrë Abramovich që të mos e tepronte dhe mbi të gjitha të mos harronte dëshirat e Putinit?
“Në botën e oligarkëve rusë, gjërat nuk janë kurrë ashtu siç duken”
Megjithatë, kishte shumë që kundërshtuan raportet se Abramovich ishte helmuar me të vërtetë. Në vend të kësaj, ata besuan se miliarderi rus e kishte krijuar këtë skenar për të treguar se kishte një distancë mes tij dhe Kremlinit. “Më duket se ai po përpiqet dëshpërimisht të hiqet nga lista e sanksioneve të vendosura ndaj tij nga Perëndimi”, tha autori dhe kritiku i Kremlinit, Bill Browder.
Oligarkët nuk janë biznesmenë të zakonshëm, pra siç e kuptojmë ne këtë term në kuadrin e një sistemi kapitalist demokratik dhe sigurisht që nuk janë të barabartë me Putinin. Ata i shërbejnë Kremlinit dhe Putini është Kremlini.
“Në çdo kohë dhe për çfarëdo arsye, Putini mund t’ua marrë paratë, lirinë dhe madje edhe jetën e tyre”, tha Browder për Business Insider. “Kjo ka ndodhur shumë herë në të kaluarën, me disa oligarkë që tronditën elitën ruse. Askush nuk ka guxim t’i rezistojë,” shtoi ai.
Pavarësisht se Perëndimi ka vendosur sanksione të rënda dhe të koordinuara ndaj ekonomisë ruse dhe liderëve të saj, Putini nuk duket i frikësuar. Ndërkohë, bota perëndimore shpreson se do të gjendet “çelësi i artë” për t’i dhënë fund luftës.
Shumica, në fakt, shpresojnë se dikush nga elita ruse do të shkojë kundër të vendosurit dhe do të përpiqet të rrëzojë Putinin ose se do të ketë – qoftë edhe një oligark – që mund të ndikojë në të menduarit e liderit rus. Por ekspertët janë të qartë: Rusia nuk funksionon në këtë mënyrë.
Kur Putini erdhi në pushtet në vitin 2000, gjëja e parë që donte të bënte ishte rrëzimi i rregullave që ishin në fuqi deri atëherë në “klubin e oligarkëve”. Përpara se Putini të merrte frenat e shtetit rus, oligarkët kishin fuqinë për të ushtruar presion duke ndikuar në të njëjtën kohë në pushtetin politik.
Putin donte ta ndryshonte këtë. Sigurisht, nuk është e lehtë t’i thuash një grupi burrash të pasur e të fortë se nuk mund të bëjnë më atë që duan. Por ai e dinte se mund t’i zbuste oligarkët në mënyrën se si mendonte (gabimisht) se mund të zbuste Ukrainën – duke përdorur dhunë. Gjatë viteve, disa oligarkë rusë janë burgosur, internuar, helmuar, zhdukur në mënyrë misterioze ose vrarë.
“Oligarkët kryejnë një sërë funksionesh,” tha Browder. “Gjëja më e rëndësishme, megjithatë, është se ata përshkruhen si administratorë dhe kujdestarë të fondeve offshore të Putinit. Sa më të forta të jenë lidhjet e një oligarku me Rusinë, aq më shumë ka gjasa që ata të përmbushin plotësisht dëshirat e Putinit.”
“Nëse sanksionet kundër oligarkëve të Putinit nuk zbatohen plotësisht, ai do t’i përdorë ato edhe një herë si agjentë për të përmbysur dhe shkatërruar shoqëritë perëndimore nga brenda. Pavarësisht nëse Perëndimi dëshiron ta dijë apo jo – edhe pse duket se më në fund janë zgjuar – Putini është në luftë me Perëndimin dhe oligarkët janë pengjet e tij”.