Koreja e Jugut është kthyer në vendin e dytë nga ku Shqipëria importon makina të përdorura duke lënë pas Gjermaninë apo Zvicrën.
Të dhënat zyrtare tregojnë se 17.4 për qind e mjeteve që u importuan gjatë janar-korrik 2024 i takojnë këtij vendi me një rritje të dukshme me janar-korrik 2023 kur zinin 7 për qind të totalit.
Në numër mjetet e importuara nga Koreja e Jugut janë rritur me më shumë se 3 herë ku nga rreth 2956 tashmë kanë arritur në 10.6 mijë mjete. Tendenca rritëse e importeve nga Koreja vihet re qartësisht edhe e sy të lirë nga një numër i shtuar i agjencive importuese por edhe reklamave të sponsorizuara në rrjete sociale të tyre.
I vetmi vend që ende kryeson importet duke lënë pas Korenë është Italia nga ku importet kanë një peshë 18.2 për qind, ose 11.1 mijë automjete në janar-korrik. Në vend të tretë vjen Gjermania me 17.2 % (10.5 mijë mjete) dhe më pas me radhë Zvicra me 9.1%, SHBA me 6.7%, Kina me 5.7% (shiko grafikun: Importet e automjeteve, sipas shteteve, 7 mujori).
Pse Koreja e Jugut po dominon tregun
Tendenca e importeve nga Koreja e Jugut duket se ka pas në pamje të parë një tendencë globale të stimulimit të mjeteve miqësore me mjedisin. Politikat qeveritare nxisin përdorimin e mjeteve sa më të reja dhe kryesisht ato elektrike ose hibride. Kjo ka bërë që përdorimi i mjeteve me djegie të eliminohet me ritme të shpejta, duke nxitur shitjen e tyre.
Makina e përdorura nga Koreja vijnë me një çmim dukshëm më ekonomik sesa ato të Europës që skeptikët e cilësojnë se vjen si efekt i standardeve më pak strikte të mjeteve sesa ato në BE kurse një tjetër argument është kostoja më e lirë e krahut të punës.
Pavarësisht dilemave duket se importet nga Koreja e Jugut mbeten tejet aktive dhe çmimet e leverdishme po nxisin shqiptarët të orientohen gjithmonë e më shumë drejt tyre. Mënyrat e blerjes janë dy: ose duke porositur online dhe duke i paguar agjencisë tarifën e inspektimit dhe transportit ose duke blerë direkt nga agjencitë një mjet të siguruar prej tyre.
Sipas mediave koreane, ka një rritje të ndjeshme të eksporteve të makinave të përdorura. “Dërgesat dalëse të makinave të pasagjerëve të përdorura arritën në 4.44 miliardë dollarë në vitin 2023, duke u rritur me 66 për qind nga një vit më parë, sipas të dhënave të përpiluara nga Shoqata e Eksportit të Makinave të Përdorura të Koresë. Për sa i përket njësive të shitura, shifra arriti në 555,549, duke u rritur me 68 për qind gjatë periudhës.
Makinat me benzinë zënë pjesën më të madhe prej 67,5 për qind, të ndjekura nga makinat me naftë me 30,3 për qind dhe modelet hibride me 1,3 për qind. Eksportet e makinave hibride arritën gjithashtu një rekord të ri, me eksportet e tyre që u rritën 82 për qind në krahasim me vitin 2023 në 124.2 milionë dollarë”, shkruan Korea Times./ Marrë me shkurtime nga Monitor