Mbi 400 efektivë të policisë dhe forcave të armatosura në Belgjikë po vijojnë kërkimet për kapjen e një ushtari vendas, i dyshuar për një vrasje me sfond racist të mbetur në tentativë.
Jurgen Conings, 46 vjeç dhe simpatizant i ekstremit të djathtë, dyshohet se fshihet në një park natyror në veri-lindje të Belgjikës.
Ai kërcënoi një virolog pro vaksinave tri ditë më parë, gjithashtu edhe autoritetet belge dhe disa njerëz të njohur.
“Nuk ka arsye për të rritur nivelin e alarmit në vend, por është e qartë se ky person ka shfaqur mendime dashakeqe në disa mesazhe. Është me rëndësi që të bëjmë gjithçka mundemi për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve. Nuk ka arsye për panik, por nga ana tjetër duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe vigjilentë”, shprehet Annelies Verlinden, ministre e Brendshme, Belgjikë.
Conings, që kishte qenë në listën e personave nën mbikëqyrje për terrorizëm, para se të arratisej u armatos me municione dhe raketahedhëse.
Ai ka në kurrikulumin e tij një karrierë 30-vjeçare si snajper i ushtrisë belge. Disa muaj më parë ai bëri disa komente raciste në Facebook, duke detyruar autoritetet që të merrnin masa disiplinore.