Nga Aurenc Bebja*, Francë
Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka botuar, të shtunën e 2 nëntorit 1929, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me reagimin e Aleksandër Moisiut gjatë shfaqjes së tij në Rumani, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Në Rumani
Si luajti Aleksandër Moisiu përballë karrigeve bosh
Brasov, 1 nëntor.
Flitet shumë, në mjediset teatrore, në lidhje me aventurën e fundit që i ndodhi aktorit të njohur gjerman, Aleksandër Moisiut, gjatë kalimit të tij në Timisoara, këto ditët e fundit.
Moisiu do të luante “Hamletin” në një shfaqje të jashtëzakonshme. Spektakli ishte planifikuar të fillonte në orën 9 të mbrëmjes. Pasi zbuloi se treni i vetëm i mbrëmjes, me të cilin mund të largohej nga qyteti, nisej në orën 11, aktori i kërkoi administratës së teatrit që të fillonte shfaqjen një orë më parë. E kundërshtuan duke i thënë se ishte e pamundur, që vendimet e marra ishin formale dhe që, për më tepër, çmimet ishin trefishuar, kështu grupi drejtues nuk mund t’i lejonte vetes të merrte liri (vendime) të tilla ndaj publikut.
Moisiu nuk i pranoi këto shpjegime. Pak para orës 8 të mbrëmjes, ai shkoi në teatër, u vesh dhe, me forcë, ngriti perdet pikërisht në orën 8, edhe pse salla ishte plotësisht e zbrazët. Dhe kur publiku arriti, në orën e caktuar, ai pati befasinë e pakëndshme të konstatojë që një pjesë e shfaqjes ishte luajtur tashmë.
Ky veprim i aktorit provokoi një indinjatë të fortë mes spektatorëve dhe shumë protesta u dëgjuan në sallë. I paemocionuar nga kjo situatë, Moisiu vazhdoi të luante sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Sapo shfaqja mbaroi, ai dërgoi dikë për t’i gjetur një taksi, e cila e çoi në stacionin e trenit nga ku mori trenin në kohën që kishte planifikuar.
Midis tri kërkesave, orarit hekurudhor, lojës shekspiriane dhe publikut të Timisoaras, Moisiu nuk hezitoi të sakrifikojë publikun dhe u largua me një gjakftohtësi të madhe, pasi i dha vetes kënaqësinë të luante “Hamletin” për veten e tij para karrigeve bosh.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania